Ndjesë Kledi Kadiut për një keqkuptim

Kledi Kadiu është një ndër personalitetet shqiptare i cili prej shumë vitesh jeton në Itali. Është një ndër shembujt e shkëlqyer që vërtetojnë aksiomën: Nuk ka rëndësi nga vjen për të arritur suksesin. Rëndësi ka puna, talenti, përkushtimi.

Mëngjesin e sotëm në “Special Edition by Arjola” të emisionit “Ditë e Re” dha një intervistë me skype. Intervista nisi duke kujtuar fillimet e karrierës në Itali.

Bëhet fjalë për vitet 1990 kur sapo ishin hapur kufijtë, vështirësitë ishin shumë të mëdha. Ekzistonte shumë paragjykimi dhe skepticizmi.

Copëza nga këto moment u treguan me sinqeritet nga Kadiu. Ata që kanë jetuar ato vite i kujtojnë mjaft mirë këto paragjykime për të cilat ndoshta sot brezit të ri i duken pakuptim dhe i keqintepreton lehtë.

 “Vitet 90 ishin pak ndryshe përsa i përket brezave të rinj. Normale që vështirësitë ishin shumë më të mëdha. Ishte një mentalitet jashtëzakonisht i kritikuar sa i përket shqiptarëve. Kjo është një fakt, unë e kujtoj shumë mirë kur bashkë me Ilir Shaqirin punomin në emisionin Buona Domenica. Bënim çmos që të mos thonim, mos ta kuptonim që ishim shqiptarë. Edhe pse punonim në një emision i cili ishte shumë i shikuar dhe i lakmuar, por gjëndja ishte shumë e vështirë” – tregon Kledi.

Kjo ndodhi dhe me këto deklarata. U keqintepretuan nga lexues të cilët u mjaftuan vetëm me titullin (Pa hyrë në brendësi të lajmit) për të komentuar dhe ofenduar një nga personalitetet tona që i kanë dhënë aq shumë dhe kanë ndihmuar aq shumë për të ndryshuar imazhin e shqiptarëve në Itali.

Ne si redaksi online i kërkojmë ndjesë Kledi Kadiut, ndërsa lexuesve tanë u kërkojmë të mos paragjykojnë dhe të mos dalin në konkluzione të gabuara, pa lexuar të shkrimin.