"Gruaja e Jovan Bregut" vlerësohet me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh"
Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ aktoren e mirënjohur të skenës dhe filmit shqiptar, Elida Janushi, si shenjë mirënjohje për të gjithë kontributin e saj të vyer për artin dhe kinematografinë shqiptare dhe për realizimin e një sërë rolesh të spikatura.
Në një postim në facebook, Meta thotë se Elida Janushi i përket një brezi të shquar artistësh të skenës dhe ekranit, të cilët shënuan një hop cilësor në interpretimin e roleve dhe figurave, në dramën dhe kinematografinë shqiptare.
"I lumtur të vlerësoj një artiste shumë të dashur për publikun, aktoren e mirënjohur të skenës dhe filmit shqiptar, Elida Janushi.Falë talentit natyral dhe interpretimit të mrekullueshëm artistik, zërit potent e me shumë ngjyrë, galeria e dhjetëra roleve kryesore e të rëndësishme të interpretuara prej saj është e plotë dhe e larmishme.Por, një nga figurat më të dashura dhe më popullore, që kanë mbetur të ngulitura në kujtesën e spektatorit shqiptar, është ajo e gruas së Jovan Bregut në komedinë ‘Pallati 176’".
