Nuk do fal asnjë... Monologu për 1 janarin – Nga Ermir Jonka
Në fundvit, në atë kapërcyell datash ku e nesërmja bart një premtim më bindës (sepse ashtu duam të besojmë e dreqi ta hajë duhet besuar këtë vit se na mori shpirtin) bëhemi të gjithë nga pak filozofë...
Për shembull nga 1 janari kam vendosur mos të dëgjoj më asnjë nga ata qe besojnë se çdo gjë është e shkruar e nuk i'a vlen të mundohesh,po nuk kam hiç ndërmend të toleroj askënd që do dojë të burgosë një copëz jete nga imja, duke e shndërruar në një numër ndërsa unë duhet të qep gojën e të qëndroj në rresht sa të më vijë radha.
Po nuk do fal asnjë që do dojë të më veshë uniformë që mos dalloj nga të tjerë, apo të më urdhërojë të ul kokën e të pres si fakir një cast lumturie, ja maksimumi dy se kaq meritojmë në jetë.
Po nuk do ta fal as atë fytyrën e ndyrë që me një buzëqeshje prej jene stampuar fytyrës do më thotë se jam njeri i dëmtuar, se duhet të jem ndryshe, më i gjatë, më i ri, më i bukur, sepse vetëm kështu më pranon shablloni, shoqëria tallava, instagrami, showbizi..të ecën në jetë vetëm nëse përmbush kanonet e perfeksionit standard të një lloj surrati, të një lloj kompozimi muskujsh, të së njëjtës kokë bosh...vetëm kështu mund të përzgjidhesh që të vësh atë maskë e buzëqeshje prej idioti të bekuar.
E pra, kurrë nuk kam pranuar të përzgjidhem, isha, jam e do të mbetem krenar, i shëmtuar dhe i revoltuar. Ia lë përsosmërinë kujtdo që vuan për të, unë për vete do vijoj të jem ky i dëmtuari, ai që nuk e gjen veten tek këta që nuk gabojnë asnjë shënjestër, bobat, të priviegjuarit, por jam vetë shënjestra e megjithësë i plagosur vijoj në të njëjtën rrugë që kam zgjedhur..dhe ju garantoj këtu më nderin tim...unë atë rrugë nuk e braktis! Nuk e braktis dhe pikë!
Jeta ime është një kantier i zhurmshëm nën qiell të hapur mbushur me tabela ku shkruhet: “Këtu punohet”. Thonë se dikush nga lart drejton punimet, po as ma ndjen, qysh se kam lindur s’kam bërë gjë tjetër veçse kam shkatërruar cdo gjë që s’më ka pëlqyer në atë kantier që ta ndërtoj nga e para. Dhe e dini çfare më bën të lumtur? Ta bëj gjithë këtë punë duke mos jetuar nën komandë.
Jam një lloj virusi latent që infekton njerëzit që mendojnë se bëjnë mirë, kur në fakt shkatërrojnë kantierin e secilit nga ne, sipas atij që urdhëron masën e shtypur a servilët me gjuhë jashtë.
Dhe as më plas nëse për ju do mbetem thjesht një dështak, rri me qejf i fundit në atë farë rradhe hipokrite ku jeni thjesht numra, sepse ndërsa ju rrini si hunj njëri pas bythës së tjetrit, unë lëviz pa asnjë problem duke shijuar lirinë...!