Ndryshimet në qeveri, Kikia: Kalkulimi i fundit para se 'ushtarët' të hidhen në betejën elektorale
Ndryshimet surprizë në prag të këtij fundviti në kabinetin qeveritar të kryeministrit Rama për gazetarin Mentor Kikia nuk përbëjnë asnjë risi.
Për Ora News, ai i shikon si një lëvizje taktike në prag të zgjedhjeve.
Kikia: Nuk do ti quaja ndryshime mirëfilli pasi nuk shikoj ripërtëritje energjish apo largime të njerëzve për arsye dështimesh. Tërheqja apo largimi i Ministrit Cakaj është copy paste e largimit të ish-ministres së Arsimit Besa Shahini, dy prurje të reja nga politika kosovare. Në fushatë elektorale Cakaj nuk besoj se do të marrë rol për shkak se nuk ka njohje, nuk i përket këtij mjedisi, arsye për të cilën u deklaruar në tërheqjen e saj edhe Besa Shahini. E shoh më shumë si lëvizje taktike në prag të zgjedhjeve sesa një përpjekje serioze për të ripërtërirë kabinetin qeveritar, për të sjellë energji të reja. Edhe njerëzit që janë thirrur për të zëvendësuar janë e njëjta skemë e përdorur në zëvendësimin e Ministrit të Brendshëm. Nuk mendoj se do të kenë asnjë lloj ndikimi.
Duke u ndalur te rikthimi i Niko Peleshit si Ministër por kësaj here i mbrojtjes, Kikia thotë se ai është një gur i rëndë te elektorati i tij.
Kikia: Peleshi ka një ndikim të konsiderueshëm elektoral në zonën nga vjen siç është Korça. Kohët e fundit përflitej për një raport jo shumë të mirë (me Ramën), padyshim që nuk bëhej fjalë për divergjenca politike. Peleshi është një aktor shumë i rëndësishëm në fushatën elektorale. Lëvizjet janë jo për të përmirësuar qeverisjen por një lëvizje taktike për të bërë kalkulimin e fundit të shahut para se ushtarët të hidhen në betejën elektorale.
Kryeministri Edi Rama surprizoi sot socialistët dhe në veçanti anëtarët e kabinetit të tij duke shkaktuar sërish rrotacion.
Për festat e fundvitit, ai gëzoi Olta Xhaçkën duke e spostuar nga Ministria e Mbrojtjes tek dikasteri i Ministrisë së Jashtme.
Por dhurata e vërtetë kryeministrore ishte për Niko Peleshin duke e rikthyer në qeveri pas 2 vitesh ndërprerje, për të drejtuar deri me 25 prill Ministrinë e Mbrojtjes.