Si ishte 2020 për shqiptarët? Erebara: Më i vështiri që nga 1997

Si ishte viti 2020 për shqiptarët?

Për ti kthyer përgjigje kësaj pyetjeje, i ftuari i gazetares Beti Njuma në RTV Ora ishte gazetari Gjergj Erebara.

Sipas tij, viti 2020, sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto, ka qenë më i vështiri që prej vitit 1997.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 dhe fushatës që ka nisur tashmë, Erebara u shpreh:

“Fushata do të jetë si ajo e 2017-ës. Një makineri politike, e bazuar te presioni i votuesve dhe jo te bindja e votuesve përmes argumentave. Kryeministri nuk është se ka ndonjë axhendë politike konkrete. Përsërit premtimet e pambajtura të zgjedhjeve të kaluara, ndërkohë dukshëm duket se si përgatitet të përdorë makinerinë politike të vitit 2017, e bërë e famshme tashmë me dosjen 339”.

Beti Njuma: Si ka qenë ky vit për ekonominë? Mes pandemisë, me krizës që solli tërmeti...

Gjergj Erebara: Nga pikëpamja e Prodhimit të Brendshëm Bruto është viti më i vështirë që kanë patur shqiptarët që nga viti 1997. Rreth 1 miliard euro vlerë e shtuar është asgjësuar nga kriza e prodhuar nga pandemia dhe ndërsa në fillim mendohej se pandemia do të zgjidhej shpejt dhe ekonomia do të rikthehej në normalitet, tani fakti është se pandemia do të zgjasë, vaksinimi do të kërkojë të paktën dy vjet...

Beti Njuma: Beson te një vaksinim i shpejtë?

Gjergj Erebara: Është një gjë të dalë në televizor kryeministri e të thotë vaksinim dhe është një gjë tjetër të ketë një vaksinim që të ketë efekt në luftën kundër pandemisë. Dy kompanitë që prodhojnë vaksinën kanë në program për vitin 2021 të prodhojnë 1.3 miliardë doza, të cilat janë shumë pak në krahasim me popullsinë mazhorene të botës.