Zgjerimi i Greqisë në Jon, Nesho: Athina në të drejtën e saj, qeveria shqiptare jotransparente
Në një intervistë me Skype për gazetarinb Xhoi Malësia në RTV Ora, diplomati i eksperiencës Agim Nesho ka komentuar dekretin e Greqisë për zgjerimin me 12 milje në Detin Jon.
Sipas Neshos, Greqia është në të drejtën e saj, ndërsa akuzoi qeverinë shqiptare për mungesë transparence në këtë çështje.
“Unë mendoj se Greqia është në të drejtën e saj për 12 milëshin. Sigurisht, ajo që bën qendrën e gjithë diskutimit shqiptar janë dy gjëra kryesore:
Veprimet e qeverisë së Republikës së Shqipërisë në mënyrë jo transparente, duke mbajtur të fshehta të gjitha negociatat që ka zhvilluar dhe duke mos bërë asnjë veprim në rastet kur ka të bëjë me pasurinë kombëtare të Shqipërisë, siç është përcaktimi i vijave detare për të siguruar zonën ekskluzive ekonomike në det. Të gjitha këto krijojnë atë debat të madh publik për të ballafaquar një realitet që tenton gjithmonë e më shumë nga një qeveri autoritare, që vendos në mënyrë jokolegjiale dhe jo duke respektuar institucionet e shtetit. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me politikat e qeverisë por me politikat e shtetit shqiptar. Kemi një situatë ku Greqia, në mirëkuptim edhe me Italinë dhe me Shqipërisë, si vende që preken nga ky vendim, ka shpallur nga kryeministri i saj dhe është legjitimuar nga dekreti i presidentit dhe njohja nga Gjykata e Lartë, nga Këshilli i Lartë i Shtetit shtrirja e tyre me 12 milje në Detin Jon”, u shpreh Nesho.
Xhoi Malësia: Deri këtu jemi dakord, por pikëpyetja është nga fillon matja?
Agim Nesho: Sigurisht. Ky është problemi sepse ne nuk mund të pengojmë një të drejtë ekskluzive që e ka çdo shtet i botës, duke përfshirë këtu një vend fqinj dhe mik siç është Greqia. Por ne duhet të veprojmë gjithmonë në bazë të interesave të vendit tonë. Shqipëria duhet të shohë se çfarë prek shtrirja nga 6 në 12 milje, sidomos në detin e përbashkët., të dyja shtetet, kanë mundësinë në mos tani në të ardhmen për ta shfrytëzuar.
Xhoi Malësia: Vajta në Gjykatë Ndërkombëtare, mendoni se është vendimi i duhur?
Agim Nesho: Unë mendoj që është një vendim konjuktural. Kjo ka të bëjë me mënyrën e sjelljes së kësaj qeverie. Vajta në një gjykatë ndërkombëtare është në fund të fundit kurorëzimi i të gjitha marrëveshjeve që kanë bërë palët dhe kur nuk bien dakord do të shkojnë në Arbitrazh për të gjetur të drejtën në bazë të principeve.