Murrizi dhe Patozi çojnë Kodin Zgjedhor në Kushtetuese, ftojnë edhe grevistët e 2008 t'u bashkohen

Me tu zyrtarizuar Gjykata Kushtetuese, Myslim Murrizi, si përfaqësues i Lëvizjes Demokratike Shqiptare dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit mësynë në derën e  saj.

Pas kritikave që i bënë marrëveshjes së dy partive të mëdha, dy partitë e vogla ankimuan nenin 163 të Kodit Zgjedhor që sipas tyre u cënon të drejtën e zgjedhjes qytetarëve.

Murrizi: Kushtetuta lejon shqiptarët që me votën e tyre të zgjedhin deputetët, ndërsa herësi i vënë në mënyrë nihiliste nga mazhoranca në dakordësi të plotë me Partinë Demokratike ua heq këtë të drejtë qytetarëve shqiptarë.

Topallaj: Ky nen është thellësisht antikushtetues për shkak se Kushtetuta ka hapur listat, duke ua lënë qytetarëve nëpërmjet votës së tyre preferenciale të përzgjedhin deputetët e tyre të preferuar, ndërkohë që Kodi Zgjedhor me nenin e tij 163 i mbyll praktikisht këto lista sepse i jep rëndësi më të madhe renditjes sesa votës preferenciale që sigurojnë kandidatët.

Murrizi kishte një thirrje për ata që në 2008 u futën në grevë urie për ndryshimet e njëanshme në Kod.

Murrizi: Ftoj edhe grevistët e 2008, presidentin Meta që u fut në grevë urie në prill të 2008, partinë e tij që drejtohet sot nga zonja Kryemadhi, kryetarin e Partisë Demokristiane Ndokën që në atë kohë ishte në grevë urie, që të kërkojmë një të drejtë që shqiptarët e duan në këto 30 vjet poskomunizëm.

Me betimin e Sonila Bejtjes si anëtare e shtatë e Gjykatës Kushtetuese kjo trupë pritet tashmë të nisë shqyrtimin e disa çështjeve të nxehta, mes tyre edhe ajo e votimeve të 30 qershorit apo çështja e godinës së Teatrit Kombëtar.