Një ditë pas aksidentit tragjik, Ora News në "kthesën e vdekjes" në Fier, drejtuesit e mjeteve: Kanë rënë mbi 20 makina
Një ditë pas aksidentit tragjik me dy viktima, autoritetet kanë vendosur sinjalistikë të përkohshme në kthesën e Qarrit në Fier. Por pavarësisht të masave të marra, drejtuesit e mjeteve thonë se në këtë aks kanë ndodhur mbi 20 aksidente dhe masat aktuale nuk do të ndihmojë në reduktimin e aksidenteve rrugore.
Ndue Preçi dhe Pashkë Malçi humbën jetën mëngjesin e së hënës, pasi dolën nga rruga në kthesën e Qarrit në Fier, dhe u mbytën në kanalin që ndodhej buzë rrugës.
Drejtues të automjeteve dhe banorët e zonës, shprehen se në atë kthesë janë bërë mbi 20 aksidente.
"Jo një por mbi 20 makina për 5 sinjalistika."
Pavarësisht kësaj, barrierat mbrojtëse në rrugë nuk janë vënë asnjëherë.
"Nuk janë vënë pritat te kjo kthesë, nuk ka dhe sinjalistikën që duhet."
"Ka pasur raste që kanë rënë dhe dy makina në ditë. Ka mungesë të theksuar sinjalistike."
"Barrierat po e po, por edhe sinjalistika."
Ata thonë se kjo kthesë është më e rrezikshmja në të gjithë aksin Levan-Qarr.
"Është e frikshme, sidomos kthesa e Qarrit."
"Të paktën duhet të kishte kufizim shpejtësie atje matanë."
Vetëm një ditë pas ngjarjes tragjike me dy viktima, në segmentin Levan-Qarr në kthesën e rrezikshme autoritetet kanë vendosur sinjalistikë të pjesshme.