Studenti i ankohet Bashës: Nuk shoh të ardhme, punoj në ndërtim për të vazhduar fakultetin

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë që prej pamundësive ekonomike nuk kanë vazhduar ose kanë vështirësi ekonomike për të vijuar studimet e larta apo Universitetin. Basha u tha atyre se asgjë s’është më bardh e zi se 25 prilli dhe ndryshimin e kanë në dorë të rinjtë bashkë me Partinë Demokratike.  

Në turin e takimeve me të rinjtë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, bisedoi me disa të rinj që nuk kanë vijuar dot Universitetin ose kanë pamundësi të mbarojnë studimet për shkak të mundësive financiare. 

Ernest Sulaj, studion për Gjeografi dhe zanati i tij është Mësuesia, por ai i tha kryetarit të PD-së se për të mbaruar studimet duhet të punojë dhe këtë nuk e bën në zanatin e tij, por si punëtor ndërtimi.

Ernest Sulaj: Unë quhem Ernest Sulaj. Unë jam student, master viti i dytë, studioj gjeografi, master profesional dhe së shpejti një mësues i së ardhmes. Përveçse punoj në ndërtim, shoh që nuk kam të ardhme.

Lulzim Basha: Ernest, punon në ndërtim?

Ernest Sulaj: Po!

Lulzim Basha: Ditë për ditë?

Ernest Sulaj: Po!

Lulzim Basha: Sa orë në ditë?

Ernest Sulaj: Pa orar, nga ora 7 deri në 5, 6 mbasdite.

Lulzim Basha: Çfarë pune bën?

Ernest Sulaj: Me skela. Punoj në ndërtim, nuk e kam problem, e kam pasion. Por problemi im është sepse unë kam investuar shumë për shkollimin tim, familja ime gjithashtu ka investuar dhe e shoh që pas tre muajsh ku unë duhet të jem praktikant shumë koleg të mi do të marrin një rrogë më të ulët sesa unë marr në ndërtim.

Gjatë bisedës, kreu i opozitës shpjegoi edhe planin e PD-së për arsimin, veçanërisht pjesën për pagat e mësuesve.

Mësuesit e papaguar, tha Basha, janë dëmi më i madh që i bëjmë fëmijëve tanë.

Basha: Pagat e mësuesve në Shqipëri janë më të ulëtat në rajon. Pagat e mësuesve në Shqipëri nuk kanë pasur rritje në këto vite. Tani pas 7 vitesh premtime të pambajtura, tani që po vjen momenti për ta larguar këtë qeveri me votë, janë kujtuar dhe kanë premtuar rritje rrogash, po rritja e rrogave që kanë premtuar është prapë simbolike krahasuar me atë që nuk kanë bërë për 7 vite me radhë. Në qoftë se ne mësuesit i kemi më të papaguarit në rajon, të parët që dëmtohen janë fëmijët, janë nxënësit, janë studentët dhe natyrisht familjet e tyre. Pra, dëmi që vjen nga mësues të papaguar mirë, është një dëm për të gjithë shoqërinë.

Dhe ne këtë e dinim fare mirë kur dyfishuam rrogat e mësuesve. Ju jeni të rinj por në qeverisjen tonë të mëparshme, ne premtuam dyfishimin e pagave të mësuesve. Dhe kur e premtuam shumë njerëz thanë kjo s’bëhet, ky është premtim elektoral. Fakti është që pagat u dyfishuan. Kjo padiskutim pati një impakt të jashtëzakonshëm jo vetëm tek mësuesit por edhe tek nxënësit, tek studentët dhe tek gjithë familjet shqiptare. Sot sfida e parë e qeverisjes të pas 25 prillit, është që mësuesit shqiptarë nga më të nënpaguarit të rajonit, të paktën të barazohen pagat me mesataren e rajonit. Ky është objektivi i parë sa i përket pagave të mësuesve.

Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, iu tha të rinjve se rruga e vetme është ndryshimi dhe vendosja e politikës në shërbim të njerëzve.