VIDEO/ Një Milan i çmendur, "Djalli" i pret Krishtlindjet në krye

Milani arrin një fitore të madhe ndaj Lazios në sfidën e fundit të 2020 dhe mbetet në krye të Serie A si dhe skuadra e vetme pa humbje në këtë sezon në pesë ligat më të forta në Europë.

Kuqezinjtë fituan 3-2 “in extremis” ndaj Lazios, që gjithsesi duhet duartrokitur për lojën e zhvilluar dhe nuk do të kishte vjedhur asnjë edhe nëse do të kishte fituar.

Një fillim i furishëm dhe një fund për infarkt i ndeshjes nga kuqezinjtë, me Theo Hernandezin që realizoi në çastet e fundit golin që çoi në ekstazë kampin e Milanit.

Pa u nxehur mirë muskujt, Ante Rebic realizoi me kokë (10’) pas krosimit të Calhanoglu, ndërsa shtatë minutave më vonë mesfushori turk realizoi me penallti.

2-0 për Milani pas pak më shumë se çerek loje orë, por Lazio nuk e humbi toruan.

Fillimisht Ciro Immobile humbi një 11-metërsh (28’), por në zhvillimin e aksionit shënoi Luiz Alberto.

Në pjesën e dytë bardhekaltrit mundën të barazonin me Immobilen në të 59-ën, por në kohën shtesë, atëherë kur pritej vetëm vërshëllima e fundit e gjyqtarit, këmbëngulja e kuqezinjve u shpërblye me golin e Theo Hernandezit, që i siguroi një fitore të çmendur “Djallit”.

Në takimet e javës së 14-të u arritën këto rezultate:

Verona – Inter   1-2

Milan – Lazio     3-2

Roma – Cagliari 3-2

Bologna – Atalanta  2-2

Napoli – Torino  1-1

Sampdoria – Sassuolo 2-3

Spezia – Genoa  1-2

Udinese – Benevento      0-2