UÇK para Gjykatës Speciale, avokatët kërkojnë nisjen e gjyqit pas 2022

Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë kërkuar edhe një herë që gjykimi ndaj tyre të nisë jo më parë se viti 2022.

Seanca e së enjtes ndaj tyre në Gjykatën Speciale në Hagë vlerësoi ecurinë e çështjes.

Prokuroria deklaroi se ka dorëzuar më shumë se 1,300 materiale, dhe sipas gjykimit të tyre, në muajin korrik mund të përfundojnë hetimet që procesi gjyqësor të nisë shtatorin e ardhshëm.

Mbrojtja argumentoi se periudha tremujore nuk u lejon të pandehurve kohë për hetimet.

"Nëse flasim për një proces të rregullt gjyqësor, ko është e pakonceptueshme, është zhgënjyese. Ende nuk kemi filluar me krijimin e ekipit hetimor. Duhen 18 muaj, në mos më shumë që të fillojmë t'i hetojmë këto çështje, dhe ky është realiteti," tha Devid Huper, avokati i ish-presidentit Thaçi.

Edhe avokati i ish-kryeparlamentarit, Veseli, Ben Emerson i kujtoi gjykatës se Tribunali Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë u siguroi të akuzuarve tri vite e gjysmë kohë që nga paraqitja e akuzave kundër tyre.

Sipas tij, fundi i vitit 2022 ose fillimit i 2023-it janë kohë e mjaftueshme për vlerësimin e provave të prokurorisë.

Për katër ish-luftëtarët dhe drejtuesit e UÇK-së, rëndojnë akuzat e krimeve kundër njerëzimit dhe krime lufte, përndjekjet, burgosjet, torturat dhe krime të tjera çnjerëzore.

Krimet pretendohet se janë kryer mes marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në disa vendndodhje në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore, kundër civilëve dhe të tjerëve që merrnin pjesë në luftën me Serbinë. 

Në kushtet e pandemisë, Dhomat e Specializuara e organizuan seancën nga interneti, ndërkohë që seanca e radhës është planifikuar në muajin janar.