"Po u vjen fundi dembelëve dhe të korruptuarve në drejtësi", Kosova kalon në vetting dejtësinë

Pas Shqipërisë, edhe Kosova po bën hapa në krijimin e mekanizmit të vettingut në sistemin e drejtësisë. Ndryshimet ligjore, vetingu i përhershëm dhe vetingu gjithëpërfshirës 5-vjeçar, janë disa nga skenarët që i janë prezantuar për shqyrtim qeverisë kosovare.

Kosova po përgatit vetingun në institucionet e drejtësisë për të vlerësuar profesionalizmin e nëpunësve të saj dhe për t'i lehtësuar vendin rrugëtimin drejt integrimit europian.

Raporti mbi skenarët e llogaridhënies u prezantua të martën nga zv.kryeministri, Driton Selmanaj.

Selmanaj: Jemi të sigurt dhe jemi të bindur që po ju vjen fundi dembelëve brenda sistemit të drejtësisë, të korruptuarve brenda këtij sistemi dhe atyre të cilët deri sot kanë pasur qasje të papërgjegjshme. Por, normalisht, do të vlerësohen dhe do të vijnë në shprehje ata të cilët me integritetin e tyre po përballen dhe po punojnë çdo ditë me këtë pushtet. Jemi të bindur se me këtë modalitet që do të zgjedhim ne do të ndërtojmë besimin e njerëzve në Kosovë ndaj institucioneve të drejtësisë. Jemi të bindur që do të kemi edhe perceptim dhe vlerësim pozitiv edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë, dhe kur të vlerësim pozitiv nga mekanizmat ndërkombëtarë, rruga jonë drejt BE-së do të bëhet më e lehtë, vizat jemi të sigurt se do t’i marrim më shpejt dhe do ta bëjmë më funksional shtetin tonë.

Qeverisë kosovare i është lënë dy javë kohë që të zgjedhë instrumentin si do realizohet vlerësimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, që zbatimi praktik të nisë në muajin janar.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, premtoi se vettingu do të jetë objektiv dhe ka dakordësinë e koalicionit të gjerë qeverisës që të vazhdojë.

Selimi: Sistemi i llogaridhënies, vettingu duhet të jetë gjithëpërfshirës sepse nuk duhet të jetë politik pasi që preferencat politike ndryshojnë përderisa sistemi i drejtësisë duhet të jetë permanent. Unë besoj se do të fillojmë menjëherë, qysh në janar, implementimin e njërit prej këtyre skenarëve, skenarin që është i ‘qepur’ më mirë për nevojat tona, dhe që të dëgjohen të gjithë që janë në këtë proces.

Florent Spahija, udhëheqësi i grupit të ekspertëve të pavaruar që punuan për modalitetet e vettingut, tha se qëllimi i tyrë ka qenë të statukuonë në sistemin e drejtësisë.

Spahija: Janë edhe tri modalitete tjera, është ndryshimet ligjore, modaliteti i vettingut të përhershëm, si dhe është modaliteti i vettingut gjithëpërfshirës që fillon menjëherë dhe kryhet brenda 5 vjetëve... Qeveria është e lirë të zgjedhë edhe dy modalitete, të bëjë kombinimet e tyre. Është një raport, i cili mund të ndikojë fuqishëm në përmirësimin e drejtësisë, besimin e qytetarëve në drejtësi, si dhe në rritjen e llogaridhënies brenda sistemit të drejtësisë.

Procesi i verifikimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve është folur prej vitesh në Kosovë dhe ka qenë premtim i qeverisë kur ajo u drejtua përkohësisht nga Lëvizja Vetëvendosje.