​Albright në vend të Grenell, ish-sekretarja e Shtetit e dërguar për dialogun midis Serbisë e Kosovës

Rolin e të dërguarit të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, pritet ta marrë ish-sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright. Deri tani këtë post e ka mbajtur ish-ambasadori Richard Grenell, i cili i shtyu palët drejt nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, pritet të jetë e dërguar e administratës Biden për dialogun Kosovë-Serbi. Këtë ja tha televizionit serb N1, profesori amerikan Daniel Serwer.

"Nuk ka rëndësi se çfarë mendojnë serbët nëse Madeleine Albright duhet të përfshihet apo jo. Ajo do të përfshihet. Ajo jetoi në Serbi dhe flet gjuhën serbe. Unë mendoj se kjo duhet vlerësuar," tha Serwer.

Albright konsiderohet se ka qasje të afërt e radikale si i propozuari i presidentit Biden për postin e sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken. 

Eksperti i çështjeve të Ballkanit akuzoi Beogradit se është kthyer nga Rusia dhe ka marrë drejtimit ultranacionalist.

Në lidhje me dialogun, Serwer, tha se amerikanët dhe europianët duhet të punojnë së bashku.

“BE duhet të jetë "drejtuesi i dialogut" dhe amerikanët mbështetës të tij,” tha Serwer, duke shtuar se në fund të procesit duhet të vijë njohja reciproke dhe shkëmbimi i ambasadorëve.

Deri tani postin e të dërguarit të presidentit amerikan për dialogun e ka mbajtur ish-ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell.

Nën presionin e tij palët arritën disa marrëveshje, ku më kryesorja ishte ajo për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Prishtinës dhe Beogradit.