Ndërpriten kërkimet në Kizhevak, deri tani janë tërhequr mbetjet mortore të 4 deri në 5 personave
Moti i keq solli ndërprerjen e gërmimeve në varrezën masive të Kizhevakut në Serbi ku deri më tani raportohet se janë zhvarrosur eshtrat e katër deri në pesë personave të zhdukur. Lajmi për ndërprerjen e punës është bërë e ditur në konferencën për shtypin të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë.
Ramë Manaj është kryetari i Komisionit për të Pagjeturit.
“Komisioni ka vazhduar punën e tij në gjetjen e të vrarëve. Më vazhdën e aktiviteteve ju njoftojmë që në Kizhevak punimet janë ndërprerë për shkak të rrethanave dhe kushteve të motit. Punimet do të vazhdojnë sapo të krijohet kushtet klimatike. Ekspertet tanë mjeko ligjor kanë qenë vazhdimisht me neve. Ka pasur rezultate por edhe në Kosovë ka pasur gjetje, jo shumë”, tha Manaj.
Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, paralajmëroi se puna do të rifillojë në pranverë.
"Për shkak të motit janë detyruar që të ndërpresin punën, sepse javën e kaluar ka pasur shumë shi dhe pritet që shumë shpejtë të bie edhe borë. Deri më tash janë tërhequr ato pjesë kockore që kanë qenë në sipërfaqe pas gjetjes. Të njëjtat janë ekzaminuar në aspektin mjeko-ligjor, janë marrë mostrat për AND, dhe para se t’i qasemi punës në pranverë, do t’i kemi edhe rezultatet e identifikimit, me çka do ta dimë edhe cilit regjion i takojnë, sepse do të jenë të sakta,” tha Gërxhaliu
Zyrtarët njoftuan se pjesa tjetër e varrezës është konservuar me mjete që nuk lejojnë rrëshqitjen dhe lagien e vendit. Për të ofruar siguri është ndërtuar edhe një çati.
Varreza masive në Kizhevak është e pesta me viktima shqiptare që zbulohet në territorin e Serbisë. Aty dyshohet se mund të jenë fshehur mbi 18 viktima të luftës së vitit 1999.
Zbulimi i varrezës është bërë falë imazheve satelitore të ushtrisë amerikane, të siguruara përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar