Vjosa Osmani: Ka kohë që nuk e dëgjoj Isa Mustafën, por s'besoj se është i interesuar të shkojë në zgjedhje

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me presidentin Meta në Tiranë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani  nuk u shpëtoi pyetjeve rreth zhvillimeve politike në Kosovë dhe mundësisë për zgjedhje të parakohshme.

Osmani shprehu bindjen se kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës  Isa Mustafa nuk dëshiron që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Ndërsa vetë ajo tha se sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e parakohshme, aq më pozitive do të jetë dhe për iniciativën e saj politike, themelimin e së cilës e kishte paralajmëruar më herët, pas largimit nga LDK për shkak të qëndrimeve të kundërta.

Osmani:Nuk e besoj që Mustafa është i interesuar të shkojë në zgjedhje. Ka kohë që nuk e dëgjoj Mustafën, sepse jam e zënë me sfidat në institucionet tona që janë edhe për faj të tij. Çfarë dua të them është se sa më shpejt të mbahen zgjedhjet, aq më mirë për iniciativën që do të drejtoj.

Edhe pse partitë politike janë futur në ngërç për zgjedhjen e Presidentit të ri, Osmani tha se deri në fund të janarit të 2021 gjithçka do të jetë e qartë.

Osmani: Politika në Kosovë është shumë e paparishikueshme por deri në fund të janarit gjithçka do të qartësohet. Do të shihet nëse forcat aktuale politike do të kenë mundësi të zgjedhin një President të ri apo vendi do të shkojë në zgjedhje. Atëherë kërkohet që të gjithë bashkarisht të bëjmë përgatitjet e nevojshme për zgjedhje. Nuk duhet ti shohim zgjedhjet si diçka që e dëmtojnë vendin por diçka që i ndihmojnë zhvillimit të demokracisë. Cilado të jetë zgjidhja apo epilogu deri në fund të janarit duhet ti trajtojmë ato situata me maturi, urtësi dhe të marrim vendime të drejta që mbi të gjitha mbrojmë integritetin e institucioneve që i kemi mbrojtur me shumë mund.