Albright në krye të dialogut? Demhasaj: Do të ishte mrekulli për Kosovën. Ja pse të gjitha partitë e duan karrigen e Presidentit

Rolin e të dërguarit të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, pritet ta marrë ish-sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, post që deri më tani e ka mbajtur ish-ambasadori Richard Grenell, i cili i shtyu palët drejt nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Analisti, Arton Demhasaj, deklaron se nëse kjo ndodh do të ishte një mrekulli për Kosovën, duke ndarë bindjen se shumë shpejt do të kishim edhe finalizimin e një marrëveshje përfundimtare.

Demhasaj: Emërimi i saj për shqiptarët në Kosovë, për Kosovën dhe Ballkanin  do të ishte një lajm shumë i mirë. Nuk mendoj që ka zyrtar të lartë që ka punuar në Departamentin Amerikan të Shtetit që njeh më mirë rrethanat në Ballkan.Përfshirja e Albright në dialogun Kosovë-Serbi do të jetë shumë i frytshëm dhe i duhur. Në rast se do të ndodhë kjo do të jetë një përfundim shumë i shpejtë i dialogut dhe shumë shpejt do të kemi një marrëveshje.Në rast se ndodh kjo mund të konsiderohet një mrekulli për Kosovën. Grenell nuk dinte pozitën gjeografike të Kosovës.

Përpos dialogut me Serbinë një tjetër debat i nxehtë politik në Kosovë mbetet zgjedhja e Presidentit të ri, ku ende nuk ka një konsensus mes partive politike.

I ftuar në Ora News, Demhasaj parashikon se nëse diskutimet do të ecin me këtë ritëm vendi do të shkojë në zgjehdje të parakokshme.

Dehmasaj: Duhet të ketë diskutim ndërpartiak. Duhet të jenë 80 deputetë në sallë nga 120 që janë. Për këtë duhet një kompromis. Për këtë arsye nuk po ndodh kjo. Ka një polarizim të skajshëm. Nuk ka kompromis mes partive për të siguruar 80 votat e nevojshme, në rast se vazhdon kështu me gjasë shumë shpejt do të kemi zgjedhje të parakohshme në Kosovë. Kushtetuta e parashikon që nëse dështon procesi i zgjedhjes së Presidentit vendi automatikisht shkon në zgjedhje të parakohshme dhe brenda 45 ditëve duhet të mbahen zgjedhjet.

Nëse kjo ndodh, ai e sheh shumë të rrezikshme për vendin.

Demhasaj: Vendi mund të shkojë në zgjedhje dhe është rrezik nëse vendi shkon në zgjedhje. Kemi një presidente në detyrë që me Kushtetutë ka 6 muaj mandat, e ka filluar me 6 nëntor dhe e ka deri me 6 maj. Nëse zgjedhjet mbahen në mars, procedurat mund të zgjaten përtej 6 majit. Në atë moment Osmani nuk është më presidente. Është rreziku se kush do ta zëvedësojë për të dhënë mandatin për krijimin e qeverisë. Kalon përmes Gjykatës Kushtetuese, mund të vijë vera dhe të jemi pa qeveri.

E ndërsa të gjithë krerët e partive i janë sulur karriges së presidentit, analisti meritën ja njeh zotit Thaçi.

Demhasaj: Deri sa ka ardhur Thaçi në pozitën e Presidentit nuk ka lakmuar asnjë parti politike sepse e kanë konsideruar një pozitë formale. Por prej këtij momenti është kuptuar që ka fuqi politike presidenti.Ka fuqi, pasi shumica e funksioneve në agjencitë e pavarura emërohen në bashkëpunim Kryeministër-president, po kështu presidenti ka fuqinë që po jep madatarin për krijimin  e qeverisë. E pamë çfarë ndodhi me Kurtin. Thaçi ka krijuar një pushtet faktik dhe tani po e lakmojnë të gjitha partitë. Këtë e kërkon AAK, PDK, edhe LDK në prapaskenë, vetë zoti Mustafa e kërkon këtë pozicion. Ka diskutime në publik që Mustafa ka pranuar të lëshojë qeverinë në këmbim të Presidentit.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana.