Mesazh prekës i drejtorit të OBSH-së, kujton infermieren kosovare që humbi jetën nga Covid

Drejtori OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka përmendur vdekjen e infermieres, Vjollca Berisha e cila humbi mbetejën me Covid-19 vetëm tre ditë para daljes së saj në pension.

Ai përzgjodhi ta përmendë dhe ta falenderojë infermieren e ndjerë Vjollca Berisha e cila prej 45 vjetësh ishte në shërbim të qytetarëve në Spitalin e Gjakovës.

Ghebreyesus mesazhin e tij e ka drejtuar për të gjithë punëtorët shëndetësorë që kanë rrezikuar jetën e tyre në shërbim të pacientëve, veçanërisht gjatë Pademisë COVID-19.

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, e cila ka publikuar videon vlerëson se mesazhi prekës i drejtorit të OBSH-së, është një motiv shtesë për punën e infermierëve, mamive dhe punëtorëve tjerë shëndetësorë.

OIK bashkëndjen dhe ndanë dhimbjen me gjithë familjarët e infermierëve, mamive dhe punonjësve tjerë shëndetësorë që humbëm jetën nga infeksioni me Covid-19.