Gjykata e Prizrenit cakton masën e sigurisë për ish anëtarin e Bandës së Durrësit

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 40 ditë për Indrit Taullaun, ish anëtari i Bandës së Durrësit, i arrestuar në Kosovë pak ditë më parë.

Sipas Prokurorisë së Kosovës, Taullau dyshohet se ka kryer veprat penale; vrasje me paramendim; mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit; grupi i strukturuar kriminal; dhe vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të parapara.

Dyshohet se arrestimi është kryer pas të dhënave për përfshirjen e Taullaut në një ngjarje kriminale të ndodhur në Durrës, vepër për të cilën është arrestuar edhe një qytetar në Shqipëri.

SPAK dhe Policia e Shtetit nuk japin shumë detaje nga operacioni pasi pretendohet se është në zhvillim e sipër.

Njoftimi i Gjykatës Prizren:

"Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit – në raport me procedurën e ekstradimit, kundër të pandehurit I.T., nga Republika e Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale; vrasje me paramendim; mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit; grupi i strukturuar kriminal; dhe vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të parapara me nenet 78,28/4, 278,333/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, këto vepra të parapara edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, respektivisht neni 173, 336, 277 të KPRK-së.

Gjyqtari i procedurës paraprake– Artan Sejrani, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit – në raport me procedurën e ekstradimit, kundër të pandehurit I.T., e ka aprovuar si të bazuar, konform Neni 21 dhe 22 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, dhe konform dispozitave të KPPRK-së , të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dyzet (40) ditë, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 06.12.2020 deri me datën 14.01.2021.

Gjyqtari i procedurës paraprake në seancën dëgjimore, paraprakisht ka konstatuar konform Neni 5 par. 2 të Ligjit mbi Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar, se i kërkuari I.T., nuk e gëzon statusin e azilit politik në Republikën e Kosovës dhe nuk është shtetas i huaj që gëzon imunitet nga ndjekja penale, dhe pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet, i cili dyshim rezulton nga provat të cilat janë bashkangjitur në shkresat e lëndës, andaj janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 21 dhe 22 të Ligjit mbi Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar, për caktimin e paraburgimit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse ekziston rreziku i ikjes apo shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që i pandehuri I.T., është i paarritshëm për organet e ndjekjes në Republikën e Shqipërisë, dhe ndaj tij është lëshuar urdhër arrestim, prandaj po të qëndroi në liri do të vështirësojë rrjedhën e procedurës së ekstradimit, pasi që i njëjti nuk ka vendbanim dhe as vendqëndrim në Republikën e Kosovës, për faktin se është shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe lehtas mund të shmanget apo të ik në vend të panjohur për organet e ndjekjes penale, ashtu që do të pengohet rrjedha normale e procedurës.

Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurit në procedurën penale, dhe në procedurën e ekstradimit, konform Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 24 orëve, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi".

Anëtari i “Bandës së Durrësit”, Indrit Taullai i shpëtoi dënimit me “burg përjetë”, pas rekursit në Gjykatën e Lartë, e cila e transferoi atë në burgun e sigurisë së zakonshme në Durrës, prej nga ku edhe la qelinë disa orë më pas.

“Banda Durrësit”, ku ai bënte pjesë ka nisur të veprojë në qyteti bregdetar prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, i cili gjithashtu është në liri me kusht, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Seriali i vrasjeve vijoi edhe në pranverën e vitit 2006, ku u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.

Njëri prej tyre, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia. Edhe ky i fundit përfitoi lirinë në vitin 2015.