Plot 30 vite më pas jetojmë të njëjtën ëndërr: “E duam Shqiperinë si gjithë Europa”
8 Dhjetori- Dita e rinisë.
30 vite më pas jetojmë të njëjtën ëndërr: “SHQIPERINË SI GJITHË EUROPËN”
8 Dhjetori është periudha e kthesës së madhe të Shqipërisë, rrëzimi i mureve të diktaturës, hapat e parë drejt lirisë së munguar. Ishin djemtë e vajzat e Qytetit Studenti, të cilët guxuan pikërisht atë natë, në 8 dhjetor, të mblidheshin bashkë për të protestuar, për të ringjallur shpirtin e lirisë në kryeqytetin shqiptar, atje ku e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë jetonte monotoninë e zakonshme.
Nuk kisha lindur në atë periudhë por sot kam te njëjtën ëndërr siç kishin studentët dhe të rinjtë e viteve `90:
-“E DUAM SHQIPERINË SI GJITHË EUROPA”.
Sot jemi më shumë se një çerek shekulli nga ajo ditë. Unë sot nuk protestoj për rrëzimin e një regjimi diktatorial por protestoj për shumçka tjetër që prinderit tanë protestuan dhe ëndërruan. Falë një profesori të nderuar këto ditë kisha në dorë dokumentin me 10 pika, për të cilat 30 vite më parë ata luftuan për ti fituar por të cilat edhe sot pas 30 vitesh duhet luftuar për ti realizuar.
30 vite më parë ata vendosën:
1. Të luftojnë për realizimin e të drejtave themelore të njeriut, të drejtën e shprehjes së lirë të mendimit, përfshirë të drejtën e komunikimit pa ndërhyrjen e autoriteteve publike pavarësisht nga kufijtë. Të luftojë për lirinë e mbledhjes dhe bashkimit paqësor, për lirinë e garantuar të shtypit, të besimit dhe ushtrimit të tij, për të drejtën e individit, për zgjedhjen e banimit dhe lëvizjen brenda dhe jashtë vendit.
-Sot 30 vite më pas në Shqipëri vriten dhe rrihen njerëz sepse protestojnë, censurohen se vendosin të thonë të vërtetën, luftojnë për të drejtat e tyre themelore. Ende sot UNË E DUA SHQIPERINË SI GJITHË EUROPA.
2. Të luftojnë për ndërtimin e një shoqërie demokratike pluraliste të bazuar në zgjedhje të lira dhe periodike.
-Gjatë 30 viteve periudhe demokratike në Shqiperi nuk janë zhvilluar të paktën njëherë zgjedhje të lira dhe demokratike të pakontestuara e që të kenë marrë vlerësim pozitiv nga ndërkombëtarët. Ende sot UNË E DUA SHQIPERINË SI GJITHË EUROPA.
3. Të luftojnë për hartimin e një legjislacioni demokratik, në përputhje me aspiratat dhe idealet demokratike të popullit tonë, të luftojë për demokracinë parlamentare dhe institucionet e saj.
-Në 30 vite vetëm fjalën reformë kemi dëgjuar. Reformë në legjislacion, reformë në drejtësi, reformë në ekonomi, reformë në zgjedhje, madje dhe sot flasim për reforma themelore.Jemi vendi i paradokseve të mëdha, besoj i vetmi vënd në botë që nuk kemi funksionale gjykatën kushtetuese prej vitesh tashmë, një sistem gjyqësor në kolaps.
Ende sot UNË E DUA SHQIPERINË SI GJITHË EUROPA.
4. Të luftojnë për forcimin e shtetit juridik, drejtësinë dhe barazinë sociale që buron nga ligjet.
-Në 30 vite nuk kemi shtet të së drejtës, nuk kemi drejtësinë dhe barazinë që 30 vite më parë kërkoi levizja studentore. Sot nuk kemi gjykatën kryesore, atë kushtetuese funksionale. Drejtësia vazhdon të mos jepet, peshorja e gjykatave akoma nuk arrin të bëj balancën edhe me reformën në drejtësi.
Sot kemi një sistem zgjedhor me rregulla të pavendosura ose të shkruara në mënyrë të njëanshme, një opozitë rrugëve, me pak fjalë jemi një vënd me sistem rë rënë. Ende sot UNË E DUA SHQIPERINË SI GJITHË EUROPA.
5. Të luftojnë për një shtyp të lirë e të pavarur, për një informacion real dhe objektiv të shoqërisë.
-Pas 30 vitesh në Shqipëri censurohen gazetarë dhe emisione, shiten dhe blihen media. Sot 30 vjet më pas Shqiperia renditet ndër vendet e fundit për lirinë e medias. Ende sot UNË E DUA SHQIPERINË SI GJITHË EUROPA.
6. Të luftojnë për reformën demokratike në fushën e arsimit, kulturës, shkencës dhe shëndetësisë. Të luftojë për mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet përdorimit efektiv të burimeve ekonomike.
-Pas 30 vitesh në Shqipëri përsëri protestohet për reformat në arsim shëndetësi, sepse për reforma në shkencë dhe kulturë as qe flitet. Zëri i buxhetit për arsimin vazhdon të jetë më i vogli në krahasim me mesataren e rajonit dhe jo më tutje ku duam të shkojmë . Ende sot UNË E DUA SHQIPERINË SI GJITHË EUROPA.
7. Të luftojnë që rinia demokratike shqiptare të zerë vendin që i takon në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.
-Pas 30 vitesh në Shqipëri rinia në politike është shëmbëlltyra më e keqe e lidervë të tyre. Kjo rini është kopja e tyre por kurrë modeli që 30 vite më parë ëndërruan. Kësaj rinie i është prerë shpresa dhe i janë ushqyer modelet më të këqija për të ndjekur.
Ende sot UNË E DUA SHQIPERINË SI GJITHË EUROPA.
8. Të luftojnë për emancipimin e vërtetë të gruas shqiptare dhe krijimin e kushteve që do të mundësojnë realizimin e detyrës së tyre fisnike.
- Pas 30 vitesh në Shqipëri gruaja ka arritur të ketë një rol domethënës në familje, shoqëri, komunitet dhe në jetën politike dhe drejtuese të vëndit,por edhe sot ajo keqtrajtohet dhe vritet në mënyrat më makabre. Ende sot UNË E DUA SHQIPERINË SI GJITHË EUROPA.
9. Të luftojë për emancipimin e plotë të fshatarësisë, nëpërmjet lirisë demokratike dhe drejtësisë shoqërore.
-Pas 30 vitesh në Shqipëri problemi i pronave mbetet i pazgjidhur, gjë që ka sjellë vrasjen vëllai me vëllain për degën e një plepi, për drurin e një gardhi dhe për një pëllëmbë tokë. Premtimet vetëm vijnë dhe shtohen çdo vit por mbështetja për fshatin mbetet në nivele thuajse zero në krahasim me atë që ai jep në GDP e vëndit dhe në atë që ai merr nga buxheti.
Ende sot UNË E DUA SHQIPERINË SI GJITHË EUROPA.
10. Të luftojë për përmirësimin e kushteve të punës të të gjithë punëtorëve dhe rritjen e rendimentit të saj nëpërmjet përdorimit të teknologjisë moderne dhe organizimit shkencor me synim që të arrihet gradualisht në një masë më të lartë shpërblimi dhe pakësimi i orëve javore të punës. E gjithë kjo në kuadrin e sindikatave të lira dhe të pavarura.
-Pas 30 vitesh në Shqipëri vriten femijë në grumbuj plehrash, keqtrajtohen gra, vajza dhe fëmijë në punë me orë të zgjatura dhe kushte të këqija pune. Papunësia dhe mungesa e perspektivës ka sjellë një emigrim masiv saqë krahasohemi me vënde në gjendje lufte si Siria. Pas 30 vitesh në Shqipëri qeveria fton të huajt të investojnë në Shqiperi sepse nuk ka SINDIKATA.
Ende sot pas 30 vitesh nga ajo ditë, sot unë kam të njëjtat ëndrra, ashtu siç prindërit tanë ëndërruan 26 vite më parë “ SHQIPERINË SI GJITHË EUROPA”.