Shifra marramendëse/ Kompanitë kërkojnë 15-28 milionë euro për identifikimin biometrik

6 nga 22 kompani të kontaktuara, kanë shprehur interes pranë Komisionit Qendror  të Zgjedhjeve për implementimin e identifikimit biometrik. Kostot e dhëna kanë qenë marramendëse, të cilat kanë variuar nga 12 deri në 28 milion euro.

Nga 22 kompani të kontaktuara për pajisjet që do të bëjnë identifikimin biometrik të zgjedhësve, vetëm 6 prej tyre i janë përgjigjur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Por dukshëm bie në sy se ofrimi i këtij shërbimi kushton, pasi një prej kompanive ka kërkuar plot 28 milion dollarë që përfshijnë ofrimin e shërbimit, instalimin e pajisjeve që do të blihen nga KQZ, si dhe trajnimin e komisionerëve.

Referuar të dhënave të KQZ-zë, kompanitë në tërësi kanë ofruar shifra të larta, ndërsa oferta  më e ulët është  ajo e kompanisë së vetme shqiptare që ka shfaqur interes, TCN, e cila kërkon 14 milionë euro për dhënien e pajisjeve me qira ose  17 milionë euro nëse KQZ do t’i blejë pajisjet, ndërsa kompania  ndërkombëtare   Thales Group, për të njëjtat shërbime llogarit si kosto projekti  15.500.000 €.

Kompanitë e tjera për  shitjen e pajisjeve, trajnimin dhe shërbimin, CGTS liston si kosto 28 milion e 250 mijë dollarë, CIELA, kërkon  24 milion e 540 mijë 275 euro, DERMAOLOG IDENTIFICATION SYSTEM GmbH  12 milion 770 mijë 404 euro  dhe  SMART MATIC WORLD WIDE  HEAD QUARTERS, 20 milion e 723 mijë dollarë. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret përgjigje edhe nga kompani të tjera ndërsa në përfundim  të afateve të njoftuara  me administrimin e informacionit dhe të dhënave të dërguara nga kompanitë, do të hartojë dokumentacionin e tenderit mbi të cilin do të fillojnë procedurat e prokurimit.

Identifikimi biometrik në çdo qendër votimi është kërkesë kryesore e opozitës jashtëparlamentare për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa për ecurinë e këtij procesi u ngarkua me punë direkte zëvendëskryekomisoneri.

6 kompanitë që i janë përgjigjur KQZ-së edhe ofertat

-CGTS, me kosto projekti 28. 250 000 $

-TCN, me kosto projekti 14.831.126€ dhe 17.430.764€

-CIELA, me kosto projekti 24.540.275€

-DERMAOLOG IDENTIFICATION SYSTEM GmbH, me kosto projekti 12.770.404€

-SMARTMATICWORLDWIDE HEADQUARTERS, me kosto projekti 20.723.000$

-THALES GROUP, me kosto projekti 15.500.000€