Covid-19 në Elbasan, qytetarët në panik drejt farmacive për oksimetra dhe bombola oksigjeni

Elbasani është një prej qarqeve ku numri i të prekurve me Covid-19 ka shënuar rritje. Gazetarja Edisona Skenderi në një lidhje live nga qyteti i Elbasanit për edicionin e lajmeve në Ora News ka raportuar se qytetarët elbasanas janë duke kërkuar në masë oksimetra dhe bombola oksigjeni për trajtim në shtëpi edhe pse pa rekomandim nga mjekët.

Skenderi: Rritja e personave të infektuar me Covid duket se po çon në një kërkesë tjetër nga ana së paku e qytetarëve të Elbasanit. Nëse më parë kërkoheshin maska dhe dezinfektantë në masë tani ka filluar të kërkohen oksimetër. Nga një vëzhgim që bëmë në farmacitë qendrore të qytetit të Elbasan, rezulton se kërkesa për oksimetër është shumë e lartë. Edhe pse nuk rekomandohet apo nuk është e nevojshme pa rekomandimin e mjekut sërish qytetarët elbasanas janë duke kërkuar në masë. Ka një kërkesë në rritje përsa i përket bombolave të oksigjenit . Siç kemi dëgjuar dhe nga ekspertët e shëndetësisë nuk rekomandohet përdorimi i bombolave të oksigjenit pa marrë më përpara një rekomandim nga mjeku. Por duket se qytetarët e Elbasanit janë mbërthyer deri diku nga ankthi dhe paniku dhe janë duke marrë mjekim edhe pa marrë rekomandim.