Kush nuk paguan detyrimet tatimore, i shitet biznesi
Ministria e financave, përmes një urdhëri të posaçëm ka saktësuar dhe sekuestrimin apo shitjen e pasurive të bizneseve që nuk kanë mundësi të shlyejnë detyrimet. Po ashtu sipas kësaj procedure nëse të ardhurat janë të pamjaftueshme kundrejt shumës që duhet paguar, atëherë detyrimi do t'u kalojë aksionerëve.
Një vendim i tillë ka sjellë pakënaqësi te investitorët duke e cilësuar antilogjor. Sipas kreut të dhomës së tregtisë dhe industrisë në Durrës, Drejtoritë Rajonale Tatimore do të dalin mbi rolin e gjykatave.
“Pika që ne na shqetëson është pika ku nënvizohet që të gjithë administrata tatimore, mund të sekuestrojë të gjitha llogaritë bankare, qoftë edhe personale të individëve të caktuar", shprehet Isteri.
Alban Isteri, shprehet se me këtë udhëzim shkelen të drejtat që garanton kushtetuta.
“Kjo ka krijuar një përshtellim dhe një situatë të pazakontë në ambjentin e bizneseve sepse kapërcen kompetencat e ligjore që ka Administrata Tatimore. Ky udhezim i Ministrisë së financave bie ndesh qoftë me ligjin qoftë me kushtetuten , por edhe me vet ligjin për proçedurat tatimore dhe i jep kompetenca një drejtori më shumë sesa gjykatësi”, shprehet Alban Isteri.
Madje kjo konsiderohet dhe si një pengesë për thithjen e investitorëve të huaj.
“Cilët janë ata investitorë të huaj që vijnë të investojnë në Shqipëri , kur ne i kërcënojmë me bllokimin e llogarive personale apo aseteve personale”, shprehet Isteri.
Bizneset shprehen se ortakët nuk mund të kenë detyrime personale të cilat vijnë prej bizneseve që ata janë aksioner, pasi subjektet veprojnë si strukturë më vete.