Kemi gati 600 mësues të prekur me Covid-19 në të gjithë vendin

Shkollat po kthehen në një nga vatrat më të rrezikshme të përhapjes së koronavirusit në Shqipëri. Burimet bëjnë me dije se rreth 600 mësues në të gjithë vendin janë të infektuar me kovid, ndërsa 8 prej tyre janë të shtruar në spitale e po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Në një nga shkollat e kryeqytetit, ku nuk kanë munguar rastet e të prekurve me virus, nxënësit pohojnë se një pjesë e mësuesve janë zëvendësuar nga praktikantë.

"Po na japin mësim zysha praktikante. Normal që ka ndryshim, por mësimi është bërë", shprehet nxënësi.

Por zëvendësimi i mësuesve me praktikantë shihet me skepticizëm nga profesionistët, të cilët thonë se kjo mënyrë mësimdhënie nuk ka efikasitet.

"Nuk mund të flasim për cilësi të orës së mësimit, absolutisht sepse ato janë aty për të mësuar dhe duhet që në klasë të jetë patjetër mësuesi mentor. Ai vjen me ngërçe të mëdha nga fakulteti. Ai vjen për të kuptuar se si jepet mësim sepse nuk bëhet fjalë për bagazh shkencor, bëhet fjalë për metodikë mësimdhënie dhe ai nuk e ka këtë", shprehet profesionistja.

Sa i përket numrit të fëmijëve të prekur me kovid, nuk ka një shifër zyrtare, por burime nga spitali pediatrik thonë se 10 po marrin trajtim në këto ambiente, nga të cilët shumë pak janë raste të rënda, por jo në terapi intensive.

Situatë shqetësuese paraqitet edhe në sistemin  parashkollor, të hënën u mbyllën 4 kopshte e çerdhe, pasi punonjësit rezultuan të infektuar me koronavirus.

Në Gjirokastër janë mbyllur 2 kopshte pasi disa edukatore dhe sanitare kanë rezultuar  pozitive ose të dyshuara si të prekura. Ndërsa në Vlorë, kopshti numër 2 u mbyll për herë të dytë, pasi 6 punonjës janë raportuar si të prekur me virusin Sars Cov 2, ndërsa në Sarandë është mbyllur çerdhja 2 për shkak të infektimit.

Lexo dhe:

Dy punonjëse me Covid-19, mbyllet sërish kopshti nr. 2 në Vlorë