Beteja për RTV Ora: Prokuroria nuk reagoi, Avokatët kërkesë Gjykatës: Hiqni sekuestron

Avokatët e presidentit të “Yldon Media Group” dorëzuan sot kërkesën për revokimin e masës së sekuestros së pasurive të zotit Ylli Ndroqi. Mes pasurive të sekuestruara janë dhe televizionet RTV Ora dhe Ora News.

Kërkesa e firmosur nga pëfaqësuesit ligjorë, Jordan Daci dhe Besnik Muçi, është dorëzuar mesditën e 16 nëntorit në Gjykatën e Posaçme të  Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar

Avokati Besnik Muçi u shpreh se kjo kërkesë është vijimsi e kërkesës që ata kanë paraqitur në Prokurorinë e  Posaçme për ta iniciuar nga ky institucion revokimin e masës së sekuestros.

Besnik Muçi:“Sot po bëhen gati tre javë. Prokuroria nuk na ka sjellë përgjigje dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Nuk kemi asnjë informacion nëse prokuroria i ka analizuar këto prova. Sipas Kodit të Procedurës Penale Prokuroria duhet të kthejë përgjigje brenda 15 ditësh, por ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Në këto kushte, ne iu drejtuam Gjykatës me kërkesë për revokimin e masës së sekuestros.

Heshtjen e mosveprimin e prokurorisë e kemi të vështirë ta shpjegojmë në këto momente.

Në kushtet kur nga ana jonë u paraqit një dosje voluminoze për të provuar burimin e pasurive e të ardhura nga zoti Ndroqi.

Mos shqyrtimi i këtyre provave në vlerësimin tonë përbën cënim të të drejta të zotit Ndroqi ndaj dhe ne iu drejtuam gjykatës, duke besuar se gjykata do ti shqyrtojë provat në raport me faktet që ka atribuar prokuroria.

Në këto kushte gjykata duhet të iniciohet për heqjen e masës së sekuestros.”

Fillimisht kërkesa u paraqit në Prokurorinë e Posaçme më 29 tetor 2020, por që nga ajo ditë kjo prokurori nuk ka kthyer asnjë përgjigje edhe pse e ka detyrimin ta bëjë.

Jordan Daci: “Nuk më ka lënë shije të mirë mos përgjigjja e prokurorisë qoftë dhe për të respektuar pozitën procedurale që ne kemi dhe ata kanë. Rasti që ne jemi të angazhuar nuk është si gjithë të tjerat pasi dëmi ekonomik sa vjen e rritet dhe këto dëme duam s’duam ne janë të shtetit, si në rastet kur fiton dhe kur humbet gjithmonë do i paguajë shteti. Ne do të donim që prokuroria të ishte aktive dhe mjaftueshëm e interesuar të zbulojë të vërtetën sa më shpejt”

Ndaj avokatët i janë drejtuar sot Gjykatës së Posaçme e cila veç provave të Prokurorisë do shqyrtojë dhe prova të reja të cilat avokatët i paraqitën sot në Gjykatë.

Prej disa muajsh “Yldon Media Group” dhe presidenti i saj Ylli Ndroqi gjenden në një presion të fortë politik dhe policor, ku nuk kanë munguar as aksionet show në ambientet e RTV Ora dhe Ora News.

https://www.youtube.com/watch?v=cLnFHCZLarU