Rama: Spitalet, kurat e covidit dhe shërbimin mjekësor njëlloj si në Evropë, vetëm PS e përballon këtë situatë

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, kryeministri Rama shkruan se në luftë me atë që e quan si armikun e padukshëm, Shqipërisë nuk i mungon asgjë.

Ai thekson se kushtet spitalore, kurat farmaceutike dhe shërbimi mjekësor në spitalet Covid në vendin tonë janë si ato të Evropës.

Rama shton se Shqipëria do të dalë më e fortë nga këto dy sfida të rënda, të cilat mund t'i përballojë e t'i fitojë vetëm shumica qeverisëse e PS-së.

Rama: Ne do ta bëjmë me të gjitha forcat luftën me Armikun e Padukshëm dhe fronti ynë i mbrojtjes në spitalet Covid do të jetë deri në fund, një shëmbëlltyrë e vendosmërisë, kurajos, profesionalizmit, pa asgjë mangut krahasuar me kushtet spitalore, kurat farmaceutike, shërbimin mjekësor në spitalet Covid të Evropës!

Ne do t'i rindërtojmë një për një shtëpitë, apartamentet, shkollat, kopshtet, spitalet e qendrat shëndetësore të shembura nga tërmeti, në kohë rekord krahasuar me ecurinë e një procesi të tillë në vendet që janë përballur me këtë sfidë! Dhe Shqipëria do të dalë më e fortë nga këto dy sfida të rënda, të cilat mund t'i përballojë e t'i fitojë vetëm kjo shumicë qeverisëse, sepse ne nuk jemi më të mirët dhe kemi patjetër të metat, gabimet, boshllëqet tona, po më të mirë se ne për Shqipërinë nuk ka! #KrenarpërPS