Kosovë: Qytetarët kërkojnë nga qeveria të sigurojë kushtet e jetesës
Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja kufizuese për të frenuar përhapjen e virusit korona në tërë territorin e Kosovës dhe masa më specifike për disa komuna.
Në 24 orët e fundit, bilancit kombëtar të të infektuarve iu shtuan mbi 700 banorë të rinj dhe 4 raste përfunduan fatalisht, duke e çuar mbi 770 numrin e viktimave gjithsej.
Qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth çështjes së masave, e ndërsa ka shpresë se këto të fundit do të funksionojnë, ka edhe dyshim se organet ekzekutive nuk po bëjnë sa duhet.
“Unë mendoj se do të jenë të efektshme, mirëpo të shohim. I gjithë rajoni është në të njëjtën gjendje as më mirë e as më keq, kujdesi është i domosdoshëm.”
“U kënaqën duke na bërë masa të reja, këta me u kanë me e ditë njëherë qysh populli është në vuajtje edhe në varfëri ma mirë është kanë për ta se me na bë masa të reja neve. Shtetet e tjera i kanë kushtet krejt ndërsa për neve nuk mërzite askush a kemi me ngrenë a me pi, a kemi të sëmurë, a marrim rroga a nuk marrim hiq që jemi në 0 me punë, këta duhet këto sene me i mendu jo karantinimin”, shprehen qytetarët.
Mbajtja e maskave në fytyrë është konsideruar një nga veprimet më të lehta për të kufizuar transmetimin e virusit SARS-CoV-2 në mungesë të vaksinës.
Ndërsa ndërgjegjësimi me këtë ide vazhdon të rritet, 1 mijë qytetarë të tjerë në Kosovë u ndëshkuan në 24 orët e kaluara me gjobë për mosrespektimin e masës.
“E lus popullin me i vendos maskat një 1 javë ditë dhe të shohim a ndihmon.”
“Çka me të thanë nuk po din as këta çka po bëjnë, jo kështu jo ashtu. Secili duhet me u ruajt nuk e di a budall janë këta njerëz a çka. Kurrfarë masa kurrë nuk kisha marrë dënoje jo 35 euro po 200 euro apo 500 euro o vallahi kush nuk kish me guxu me dal pa maskë. Shumë palidhje 1 javë 2 javë një qytet e bllokon se bllokon. Veç duhet me i rrit dënimet, ne pa tut nuk dimë me funksionu pak me ia lëshu krejt si dhentë bëhen tub”, shprehen qytetarët.
Kryeministri, Avdullah Hoti, prezantoi të mërkurën masat e reja antikovid, që parashikohen të aplikohen më me ashpërsi në komunat Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Ferizaj, të përfshira në atë që njihet si "zona e kuqe" e rrezikut nga infeksionit.
Aktiviteti ekonomik është lejuar të zhvillohet nga ora 05:00 deri në 19:00, dhe më pas do të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve e mbyllje tremujore të bizneseve që shkelin urdhrin.
Masat e reja do të hyjnë në fuqi nga dita e premte në orën 19:00.