"Kemi nevojë për reflektim", PDK bojkoton për një javë Kuvendin

Partia Demokratike e Kosovës bojkoton punimet e Kuvendit të Kosovës për një afat 1-javor.

Lajmin e bëri të ditur deputeti Abelard Tahiri.

“Që nga pesë nëntori i këtij viti, Kosova dhe shoqëria jonë janë duke kaluar në një rrethanë aspak të zakonshme, mos të themi të jashtëzakonshme. Që nga e hëna janë paraqitur sit ë akuzuar drejtuesit kryesorë të luftës sonë, ndër ta presidenti i Kosovës i zgjedhur nga ky kuvend, kreu i PDK-së, Kadri Veseli ish kryetar i Kuvendit për dy mandate, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe sot paraqitet shefi i grupit më të madh parlamentar, Rexhep Selimi”, ka thënë ai.

Sipas deputetit, PDK ka nevojë për reflektim.

“Ne si PDK kemi nevojë për reflektim. Do të shtyjmë prezencën tonë për një javë në seanca, PDK nuk do të marrë pjesë në seanca, ky akt nuk lidhet me zhvillimet që lidhen me drejtësinë, por me nevojën për sensibilizim. Ne na duhet reflektim dhe unitet”, ka thënë Tahiri , i cili shtoi se forca politike që ai përfaqëson beson në luftën e pastër të UÇK-së.