Rexhep Selimi para Speciales në Hagë: E nisa krah Adem Jasharit e mbylla krah NATO-s

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të "Lëvizjes Vetëvendosje", Rexhep Selimi, është vetëdeklaruar plotësisht i pafajshëm para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Selimi i kundërshtoi si të pasakta dhe të padrejta, sikundër cilësimin e UÇK-së si ndërmarrje e përbashkët kriminale.

Sipas aktakuzës, ish-pjesëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dyshohet për veprat penale të ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjeve e zhdukjeve me forcë të personave midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe në fshatin Cahan të Hasit.

Selimi: I nderuar z.gjyqtar,e di që nuk është momenti as vendi që të flas për legjitimitetin e kësaj gjykate duke ditur se këtë gjykatë e ka themeluar kuvendi i Kosovës. Dua të theksoj se unë si deputet i atij kuvendi e kam kundërshtuar themelimin e saj gjykate, jo si shprehje kundër drejtësisë, por përkundrazi donim që drejtësia të bëhej nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Pasi Kosova shpalli pavarësinë Serbia e ka paditur Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare e Drejtësisë lidhur me pretendimet e saj se shpallja e pavarësisë ishte e paligjshme ndërkombëtarisht. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare ishte në favor të Kosovës dhe i dha legjitimitet pavarësisë së Kosovës.

Por vetëm pak muaj pas këtij vendimi Serbia përmes senatorit Dick Marty, nxorën një raport si kundërpeshë ndaj vendimit të Gjykatës dhe veçanërisht si kundërpeshë ndaj pavarësisë së legjitimuar të Republikës së Kosovës. Prandaj mendoja që nuk duhej ngritur një Gjykatë me synime të hapura antishqiptare dhe anti Kosovë.

Gjykata Speciale e Kosovës përmbylli të mërkurën procesin paraprak kundër Selimit, ndërsa duke nisur nga dita e hënë të njëjtat akuza iu përsëritën edhe ish-presidentit Hashim Thaçi dhe dy ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli.

Katër ish-udhëheqësit e lartë të UÇK-së po qëndrojnë tani në qendrën e paraburgimit në Hagë së bashku me ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare, Salih Mustafën.

Në paraburgim si të dyshuar, edhe pse pa aktakuza, ndodhen edhe udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Partia Demokratike e Kosovës njoftoi të mërkurën se në shenjë solidariteti dhe reflektimi për zhvillimet në Gjykatën Speciale, do të pezullojë punën parlamentare për një javë.

Lexo dhe:

Seanca në Hagë: Jam Kadri Veseli, lindur në shtetin e Kosovës. I pafajshëm për të gjitha akuzat