“Haga”, Alizoti: Parlamenti kosovar ra brenda, Thaçi dhe asnjë rreth tij nuk e menduan se do binin vetë

Çështja e arrestimit të ish-figurave kryesore të UÇK cilësohet si një padrejtësi që po bëhet ndaj luftës çlirimtare të Kosovës.

Tomorr Alizoti për Ora News ka folur në lidhje me njëanësinë e Gjykatës Speciale të Hagës, duke theksuar se duhet të gjykohet edhe Serbia, sepse sipas tij në rast të kundërt procesi është tendecioz.

Në vijim Alizoti ka shpjeguar se ligjërisht gjykata është votuar nga vetë Parlamenti i Kosovës, duke i lënë hapësirë kështu ndërkombëtarëve për diskutime në lidhje me këtë çështje.

Alizoti: Një gjykatë që gjykon palët në konflikt, teorikisht dhe logjikisht, sepse ligji në vetvete ka një bazë logjike, nëse zihemi ne të dy, nuk mund të gjykojë vetëm njërin, sepse je tendecioz. Po bëhesh i njëanshëm dhe nuk je në kërkim të drejtësisë. Gjykata ka në fokus të saj gjykimin vetëm të shqiptarëve, ky mund të jetë rast unikal. Këtë fatkeqësisht, në teorin ligjore dhe shtetërore e ka votuar i gjithë Parlamenti kosovar. Ndërkombëtarët thonë që e ka votuar i gjithë parlamenti i zgjedhur nga populli.

Këtu ata kanë rënë vetë brenda dhe unë mendoj që ata të paktën mund të ishin të interesuar për interesa madhore të Kosovës ose për pushtetin e tyre, por historikisht shqiptarët dhe fatkeqësisht liderat shqiptarë që për mua bëjnë gjithmonë diferenca nga populli që është ekselent, për pushtetin e tyre, gjithmonë politikën e jashtme e kanë përdorur për veten e tyre. Jam i bindur që as Thaçi dhe asnjë rreth tij nuk e kanë menduar se do të hyjnë vetë brenda, por kundërshtarët e tyre në këtë lloj situate.

Në konceptin ligjor ata mund ta ngrinin dhe mund ta kundërshtonin se përse duhet të gjykohen shqiptarët. Le të gjykohet edhe serbët, pra të dyja palët që janë në konflikt. Megjithatë kjo u krye dhe u mbyll.

Kjo është politike dhe në këtë është e gjithë aktakuza që kanë ngritur Prokuroria e Beogradit dhe po realizohet. Beogradi nuk ka kaq fuqi, por ka influencë dhe influencë më të madhe ka Rusia në këtë gjykim. Nesër Kosova do të pranojë çdo marrëveshje që do t’i ofrojë BE dhe Serbia. Do të ulet në tavolinë e përulur. Koncepti i diplomacisë së negociatave është që duhet të ulesh në tavolinë kur je i fuqishëm që të marrësh sa më shumë për negociatat. Po u ule i rrënuar do të marrësh as sa je.

Sakaq Alizoti ka shtuar më tej faktet që Serbia ka zhvilluar një sërë luftrash dhe genocidesh në Ballkan, duke u ndalur te pika se  “lëvizja e UÇK për çlirimin dhe për të fituar pak liri brenda vetes, u quajt nga Serbia grup terrorist”

Alizoti: Nuk mund të besoj unë se një vend si Serbia që ka bërë katër luftëra në Ballkan, me një ushtri ultramoderne krahasuar me Ballkanin, vetëm Sllovenia shpëtoi. Filloi me genocidin dhe masakrën e Vukovarit të Kroacisë, ku nxorri njerëzit nga spitalet dhe i ekzekutoi. Masakra në Bosnjë, në Sebrenicë ku u vranë 8 mijë veta, ku ishin burra dhe një pjesë e madhe ishin fëmijë nga 12 në 17 vjeç. Emigruan nga lufta 2 milionë boshnjakë, shifra marramendëse. Pastaj kalojmë në Kosovë, ku arriti sipas zv/komisarit të OKB, të spartohen në 2-3 javë 825 mijë shqiptarë.

Kam ndjekur shumë proceset e Aushvicit dhe deportimi i hebrenjve hungarezë me disiplinën gjermane dhe organizimin nazist për të deportuar 425 mijë veta u deshën 2 muaj. Pra serbët ishin më efikasë së sa nazistët.

Të marrësh një trup si UÇK-ja, një lëvizje për të mbrojtur veten, në trishtim e sipër. Një trupë guerrile që nuk dispononte as artileri dhe as mjete të motorrizuara sepse nuk e përballonte dot këtë luftë, por e bënte luftën nëpër male, teknikisht e kishte të pamundur të krijonte kampe përqendërimi. Ata që janë në Hagë dhe më lart e dinë më mirë se unë këtë gjë. Ndaj ky është një qëllim i qartë për të denigruar Kosovën, luftën e UÇK-së.

Sepse edhe aktakuza është grupi i strukturuar kriminal. Pra edhe kur filloi lëvizja e UÇK për çlirimin dhe për të fituar pak liri brenda vetes, u quajt nga Serbia grup terrorist. Siç është edhe akt akuza.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.