Nuk kanë marrë pagën, minatorët e Trepçës në grevë
Nga OraNews Përditësimi i fundit 11 Nëntor 2020, 13:50
Minatorët e “Trepçës” në Stantërg kanë ndërprerë punën për shkak se nuk kanë marrë pagën e muajit tetor.
Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të kësaj miniere, konfirmoi për KosovaPress se, minatorët janë në grevë, duke bërë të ditur se arsyeja e vetme për ndërprerjen e punës janë pagat.
Sipas tij, që nga dita e djeshme ndërrimi i dytë dhe i tretë nuk kanë punuar dhe atyre u është bashkuar edhe ndërrimi i parë, ndërsa tha se kjo gjendje do të vazhdojë derisa të mos zgjidhet ky problem.
“E vetmja arsye pse jemi në grevë janë pagat e muajit tetor. Kemi biseduar me menaxherin i cili na ka thënë se për momentin nuk ka mjete. Nuk dimë kur do t’i marrim pagat, por deri atëherë ne nuk do të punojmë”, është shprehur kreu i sindikatës.