Gjeta: Nuk duhet të kemi asnjë lloj dyshimi në pastërtinë dhe drejtësinë e luftës së UÇK-së

Duke komentuar aktualitetin në Kosovë dhe çështjen e përballjes në Hagë të ish-drejtuesve të UÇK-së, politologu Altin Gjeta i ftuar në një intervistë për Ora News u shpreh se nuk duhet të kemi asnjë lloj dyshimi në pastërtinë dhe drejtësinë e luftës së UÇK sepse pa të pavarësia e Kosovës do të ishte e pamundur.

Gjeta: Mendoj se lidershipi i UÇK në Hagë ka gjithë të drejtën të mbrohet me të gjithë fuqinë që kanë. Pa luftën e UÇK pavarësia e Kosovës do të ishte e pamundur. Komponenti luftarak i UÇK ishte i domosdoshëm mendoj unë. Nuk duhet të kemi asnjë lloj dyshimi në pastërtinë dhe drejtësinë e luftës se UÇK. Unë kam parë që është hedhur teza që nuk është goditur UÇK por individi. në fakt po të shikoni me kujdes ata janë kupola drejtuese e UÇK. Sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta bëjmë qartësisht një ndarje mes individëve, drejtuesve të UÇK dhe luftës dhe kauzës së drejtë dhe historike të UÇK por megjithatë indirekt duhet të kuptojmë që çuarja në bankën e të akuzuarve të lidershipit të UÇK indirekt e dëmton UÇK dhe faktorin shqiptar në rajon.

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në "kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve".

Në aktakuzë thuhet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

Po ashtu përmendet edhe një rast, ku pretendohet se ka pasur një qendër të ndalimit në afërsi të Kleçkës, ku thuhet se Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Dhomat e Specializuara po ashtu kanë konfirmuar një aktakuzë për krime lufte ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Sali Mustafës. Ai është deklaruar i pafajshëm ndaj veprave që rëndojnë ndaj tij.

Në qendrën e paraburgimit në Hagë, si të dyshuar gjenden edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Ata dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Intervista në studio me gazetarin Leftion Peristeri, përgatiti për online E.P