UÇK përballë Hagës, politologu: Drejtësia duhet të niste me 1 mijë të pagjeturit e luftës, dyshohet se u vranë në territorin serb

Kur kanë kaluar 20 vjet nga lufta në Kosovë,  rreth 1.650 persona figurojnë ende të zhdukur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Nga këta, 1.100 janë shqiptarë etnikë, 360 janë serbë dhe 200 janë nga komunitete të tjera minoritare, siç janë romët.

Shumica e civilëve serbë dhe jo-shqiptarë që u zhdukën në Kosovë, u zhdukën midis qershorit 1999 dhe dhjetorit 2000, pasi lufta mbaroi dhe forcat e Sllobodan Millosheviçit u tërhoqën.

Politologu Kejdi Këlliçi thotë për Ora News, se dyshohet se një pjesë e mirë e tyre janë marrë gjatë tërheqjes së serbëve dhe janë vrarë brenda territorit të Serbisë.

Në vijimësi ka pasur akuza nga pala e Kosovës se autoritetet serbe, posaçërisht presidenti Vuçiç ka dijeni për vendndodhjen e varrezave masive, por i mban të fshehura qëllimisht.

Ndaj dhe për Këlliçin, beteja ligjore duhet të niste pikërisht për gjetjen e të humburve dhe jo për luftën çlirimtare të Kosovës, udhëheqësit e të cilës sot janë në Hagë.

Këlliçi: Absurditeti më i madh është që sot ka më shumë se 1 mijë persona që janë të humbur dhe mendohet se një pjesë e mirë e këtyre njerëzve janë marrë gjatë tërheqjes së serbëve, janë ekzekutuar në Serbi dhe janë nëpër varreza masive brenda territorit në Serbi. Pra nuk i jepet prioritet këtij procesi, por një procesi që edhe prodhohen akuza, sot që flasim nuk ka as emra dhe fakte që të mund t’i provojnë këto akuza.

Nuk mund të reduktohet lufta çlirimtare në Kosovë te reduktimi i këtyre persoanve që janë kupola e luftës çlirimtare, në kriminelë të zakonshëm. Aq më tepër ku sipas akuzës kanë pasur qëllimin për ta kontrolluar, që është absurde.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.