Politologu Gjeta: Rama të angazhojë OSBE për Kosovën, të iniciojë një mision faktmbledhës për krimet serbe
Arrestimet e ish-udhëheqësve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë kanë trazuar ujërat politike edhe në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama gjeti si pretekst votimin e raportit të Dick Marty, mbi të cilin edhe janë ngritur aktakuzat ndaj tyre, për të sulmuar fillimisht ish-kryeministrin Berisha dhe presidentin Meta për votën pro në Këshillin Europian dhe më pas kreun e PD-së Basha si të përfshirë në hetimet për trafik organesh në Shqipëri, posaçërisht për të ashtuquajturën "shtëpia e verdhë" në Mat.
Për politologun, Altin Gjeta, kjo qasje e Ramës është një politikë e ulët.
Në një intervistë për Ora News ai deklaron se nëse Kryeministri i Shqipërisë do të ishte vërtet i interesuar për këtë çështje, në cilësinë e kreut të OSBE ai do të mund të drejtonte një mision faktmbledhës për krimet e luftës që ka kryer shteti serb në Kosovë.
Gjeta: Kam ndjekur me shqetësim akuzat dhe kundërakuzat në Tiranë. Është tentuar në mënyrë të turpshme që të përdoret politikisht nga kryeministri Rama i cili ka akuzuar lidershipin e PD, z.Basha, si i përfshirë në hetime. Mendoj që është e turpshme që të përdoren këto patriotizma false për luftë politike. Në kohën kur kryeministri Rama mban presidencën e OSBE në vend që të krijojë këtë lëvizje centrifugale, z. Rama mund të bënte një lëvizje tjetër që i shërbente interesit kombëtar. Në cilësinë e kryesuesit të OSBE ai mund të iniciojë krijimin e një misioni faktmbledhës të krimeve që ka kryer shteti serb në Kosovë. Nuk flitet pothuajse fare për krimet monstruoze që janë kryer në Kosovë.
Intervista në studio me gazetarin Leftion Peristeri, përgatiti për online E.P