Lufta për çlirim, nga betejat me serbët te përballjet në Gjykatën e Hagës
Vullneti i shqiptarëve për shkëputje nga ish-Jugosllavia dhe themelimin e shtetit të tyre, u kristalizua me luftën për Liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në 1998-1999-ën.

Lufta përfundoi me ndërhyrjen humanitare të NATO-s dhe lindjen e shtetit të ri, të dytë shqiptar, në Ballkan, Kosovës.

Menjëherë filluan edhe problemet e shtetndërtimit në Kosovë. Ajo do ta marrë pavarësinë në vitin 2008, por pas çlirimit do të ndihmohet nga aleatët Perëndimorë për të ngritur infrastrukturën shtetërore qeverisëse. Ashtu si çdokund, edhe në Kosovën e pasluftës, fillojnë edhe përplasjet midis forcave politike vendase.
Më herët, lideri historik i LDK-së, Ibrahim Rugova, në nëntor të vitit 1998, merr vendimin për krijimin e një komisioni për "HULUMTIMIN E KRIMEVE TË LUFTËS".

Rastet e dyshuara për krime lufte në Kosovë, që nga viti 1999 e këndej janë trajtuar në tribunal të ndryshme nga organet e drejtësisë, kryesisht ato ndërkombëtare.
Fillimisht, me këto raste është marrë administrata e Kombeve të Bashkuara – UNMIK. Në vitin 2003, një panel gjyqtarësh ndërkombëtarë dënoi me gjithsej 45 vjet burg katër ish-pjesëtarë të UÇK-së të njohur pas arrestimit si grupi i Llapit. Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, ish-komandant i zonës operative të Llapit të UÇK-së, u dënua me 17 vjet burg, Nazif Mehmeti, me 13 vjet burg, Latif Gashi me 10 vjet burg dhe Naim Kadriu u dënua më 5 vjet burg.
Ata u shpallën fajtorë për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile, pasi akuzohen se gjatë vitit 1998 dhe vitit 1999 kanë arrestuar dhe mbajtur në mënyrë të paligjshme disa civilë shqiptarë të dyshuar si bashkëpunëtorë të Serbisë, duke i mbajtur të burgosur në kushte çnjerëzore dhe duke i torturuar.
Luftërat në ish-Jugosllavi lanë rreth 125,000 njerëz të vdekur dhe rreth 12,000 vazhdojnë të rezultojnë ende si të zhdukur. Për këtë shkak, në vitin 1993, në kuadër të Kombeve të Bashkuara u krijua Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, me qëllimin për të hetuar krimet e luftës të kryera në rajon dhe për të ndjekur penalisht përgjegjësit e tyre.

Në mars të vitit 2005, Gjykata e Hagës merr për të pandehur kryeministrin e kohës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Dhoma e gjykimit mori vendimin e saj më 3 prill 2008 për rastin Haradinaj - jo fajtor.
Ndërkaq, më 29 nëntor 2012, Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm për herë të dytë. Në qershor 2015, Haradinaj u arrestua nga policia sllovene, por u lirua pas dy ditësh pas presionit diplomatik.
Më 5 janar 2017, Haradinaj u arrestua në një urdhër-arresti serb nga policia kufitare franceze pas mbërritjes së tij në aeroportin e Baselit. Më 27 prill 2017, një gjykatë franceze hodhi poshtë një kërkesë të Serbisë për të ekstraduar Ramush Haradinajn dhe e liroi.
Përpara Hagës kanë dalë edhe udhëheqës të tjerë të rëndësishëm të UÇK-së. Trupi gjykues, në procesin e apelit, në shtator të 2007-ës, hodhi poshtë kërkesën e prokurorisë për dënimin e Fatmir Limajt dhe Isak Mulsiut. Të dy këta shqiptarë nga Kosova, në nëntorin e vitit 2005, u liruan për mungesë provash.
Ndërkohë, u dënua me 13 vjet burgim Harajdin Bala, për shkak të vrasjes së nëntë të burgosurve në një kamp të fshehtë të burgosurish. Që të tre akuzoheshin si pjesëmarrës në tortura dhe në vrasjen e civilëve serbë si edhe shqiptarëve, gjatë konfliktit në Kosovë, në vitet 1998 dhe 1999.
Rastet e supozuara për krime lufte janë trajtuar edhe nga drejtësia e Bashkimit Europian, përmes misionit të EULEX-it.
EULEX-i trashëgoi 1200 raste të krimeve të luftës nga UNMIK-u. Zyrtarë të Eulexit njoftojnë se kanë hedhur poshtë, për shkak të mungesës së dëshmive, 500 prej tyre. Sipas zyrtarëve të Eulexit, ekzistojnë 300 lëndë të pazgjidhura tek prokurorët e Kosovës dhe ata të EULEX-it në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Në 2013-ën, misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, apo siç njihet ndryshe EULEX, bëri të ditur ngritjen e aktakuzës kundër pesëmbëdhjetë personave nën dyshimet për përfshirje në krime lufte.
Aktakuza e ngritur nga një prokuror i EULEX-it në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, pretendonte për krime lufte në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Likoc të komunës së Skenderajt, në vitin 1998.
Në mesin e të akuzuarve ishin edhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i njohur me emrin e luftës “Sulltani”, dhe Sami Lushtaku, ish-komandant i Zonës së Parë të UÇK-së.
Nga paneli gjyqësor i misionit të EULEX-it u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim 11 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dy prej të cilëve, Sulejman Selimi dhe Sami Lushtaku. Gjykata themelore në Mitrovicë dënoi me 12 vjet heqje lirie Sami Lushtakun dhe me 6 vjet heqje lirie dënoi Sulejman Selimin, ish ambasador i Kosovës në Tiranë.
Dënimi për krime lufte i 11 pjesëtarëve të UCK-së, ndodhi vetëm dy ditë, para se Kuvendi i Kosovës të votojë për themelimin e Gjykatës Speciale, në 2015-ën, që do të gjykojë dhe hetojë rastet e pretenduara për krime lufte në Kosovë.
Nën përgjegjësinë e Gjykatës Speciale është hetimi i krimeve të pretenduara kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011.
Raporti i ish-prokurorit zviceran Dick Marty akuzon disa prej krerëve të UÇK-së për krime të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë. Në raport, Hashim Thaçi akuzohet si udhëheqës i një grupi mafioz shqiptar që trafikonte heroinë, armë dhe organe njerëzore. Aty flitej për të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri, ku Marty pretendonte se ishin nxjerrë organet e të burgosurve serbë.
Pretendimet e reja sollën fokusin e mediave ndërkombëtare, dhe prania e huaj në Kosovë nisi menjëherë kërkesat që gjetjet e raportit të adresoheshin. Kësisoj lindi edhe Gjykata Speciale.
Ndërkohë, më 22 dhjetor 2017, në Kuvendin e Kosovës, me iniciativë të Presidentit Hashim Thaçi, 40 deputetë të koalicionit qeveritar PDK-AAK-NISMA, thirrën seancë të jashtëzakonshme për të shfuqizuar ndryshimet kushtetuese dhe për të zhbërë Specialen, njoftojnë mediet në Kosovë.
Lëvizja alarmoi SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, me ambasadorin O’Connell që e quajti përpjekjen: “Nata më e rrezikshme të pasluftës në Kosovë”.
Opozita, LDK-VV, nuk e përkrahu idenë, dhe ajo mbeti veçse një tentative.
Pas disa vitesh, teksa u ndërtua infrastruktura e duhur për funksionimin e Gjykatës dhe Prokurorisë Speciale, Zyra e Prokurorit të Specializuar, në javën e dytë e janarit 2019, rrugën Saturnstraat, në Hagë të Holandës, në ndërtesën numër 9, disa nga rreth 60 hetuesve ndërkombëtarë të kësaj prokurorie, intervistuan dy ish-komandantët e UÇK-së, Rustem Mustafën dhe Sami Lushtakun.
Nga Dhomat e Specializuara në Hagë deri më tani, 2020, janë konfirmuar aktakuzat për pesë persona - kundër ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-Kryetarit të Kuvendit dhe ish-Zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe Salih Mustafa që ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.
Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, Mustafa, ndodhen tashmë në paraburgim, në Hagë.
Në paraburgimin e Hagës, edhe pse pa aktakuza, aktualisht janë edhe udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Prokuroria i ka ngritur këto akuza pas rreth rreth 700 mijë faqeve materiale të mbledhura nga UNMIK-u, EULEX-i, Prokuroria e Kosovës, Dick Marty e shumë aktorë të tjerë.
