Selimi: Po na bëhet padrejtësi, as unë e as UÇK nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as ndërmarrje kriminale
Para Speciales në Hagë Rexhep Selimi, u shpreh se aktakuza e ngritur ndaj tij është e padrejtë dhe e pasaktë.
"Ja ku jemi sot në këtë Gjykatë që tashmë është fakt. Unë sot këtu nuk jam si deputet që e kam kundërshtuar këtë gjykatë por jam s një luftëtar i UÇK dhe si një ndër themeluesit e saj përballë një aktakuze i vetëdijshëm për rëndësinë dhe seriozitetin e kësaj çështje. Rolet këtu i kemi të ndara, jemi palë të ndryshme por ju lutem më bëni të besoj se po ashtu qëllimi i të gjithë neve këtu do të jetë drejtësia dhe mbi të gjitha e vërteta. Aktakuza ishte e rëndë voluminoze por mbi të gjitha shumë e padrejtë dhe e pasaktë ndaj meje por dhe e padrejtë ndaj luftës së popullit tim dhe vendit prej nga vij unë. Por vetë ky proces do ta dëshmojë se ne ishim një popull i shtypur që luftuam për liri. Lufta e popullit tim ishte e drejtë, çlirimtare me qëllime të drejta, fisnike, bëmë një luftë të pastër dhe të drejtë dhe se kjo luftë do të jetë e tillë dhe pas këtij procesi. Gjithsecili që ka dyshime do të bindet se as unë e as UÇK nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë. Po unë kam luftuar kundër Serbisë okupatore, kundër asaj Serbie që veç të këqija i ka sjellë vendit tim, Vrasje, dëbim, dhunë, shfarosje, poshtërim, spastrim etnik e gjenocid ka bërë Serbia në Kosovë. Prandaj unë e kam bërë vetëm detyrën time si qytetar i vendit tim. Unë jam veç një çlirimtar, që luftën për liri e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin Clarck, me NATO-n. Unë sot këtu e kam për detyrë dhe për nder që jam në anën e UÇK dhe aleatëve të kësaj ushtrime. Drejtësia e mbi të gjitha e vërteta duhet të jenë qëllimi i të gjithë neve këtu. Pse jo dhe i prokurorisë." - u shpreh Selimi