“Haga”/ Miftaraj: Procesi do të zgjasë 2 deri në 4 vite. Ja pse Kosova është në një pozitë jo të lakmueshme

Ehat Miftaraj, Drejtori Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi ka parashikuar se procesi i hetimeve për krime lufte nga Gjykata Speciale do të zgjasë shumë.

Miftaraj ka thënë se për shkak të pranisë së 200 dëshmitarëve që do të dëshmojnë, procesi mund të shkojë nga 2 deri në 4 vite. Sakaq ai ka shtuar se fakti që Kosova është në kërkim të një presidenti pas dorëheqjes së Thaçit, e bën gjendjen e saj të palakmueshme.

Miftaraj: Procesi i hetimit të Thaçit, Veselit dhe të tjerëve mendoj se do të jetë një proces maratonik, që vetëm në shkallë të parë mund të marrë vite të tëra për të përfunduar. Bëhet fjalë për më shumë se 100 viktima dhe së paku për 200 apo edhe më shumë dëshmitarë që do të ftohen qoftë nga Prokuroria apo edhe avokatët. Pres që ky proces të zgjasë 2 deri në 4 vite.

Në anën tjetër Kosova është në një pozitë shumë të palakmueshme, sepse Presidenti sot gjendet në Hagë dhe këtë detyrë e ushtron Drejtuesja e Kuvendit, në bazë të Kushtetutës për 6 muaj. Qeveria e Kosovës që nga koha që Thaçi ka udhëtuar për në Hagë, duhej të mendonte për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për një platformë, një unitet politik se cila do të jetë qasja e Kosovës në raport me Gjykatën Speciale, për të siguruar që të drejtat e Republikës të respektohen në mënyrën e duhur.