UÇK në Hagë, Jakup Krasniqi: Po bëhet padrejtësi e madhe
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë periudhës së luftës çlirimtare kundër Serbisë.
Krasniqi u paraqit të hënën e 9 nentorit, para gjykatësve specialë në Hagë duke i shprehur qartë kritikat për arrestimin e tij më 4 nëntor dhe trajtimin si kriminel para Gjykatës Speciale të vendit.
Jakup Krasniqi: "Cilësimi se ne qenkemi ndërmarrje e përbashkët për mua, shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë por edhe për kombin tonë nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira jetë a vdekje u vumë në shërbim të lirisë e shtetndërtimit që i arritëm në bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Kombet e Bashkuara. Të gjithë ne së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese, ndërsa ndërmarrja e përbashkët kriminale është në Serbi, ishte dhe është këmbë e krye vetëm koka e saj në Beograd, vetëm mbështetësit e politikave të Beogradit."
Në seancën paraprake, prokurorët e specializuar renditën përndjekjet, burgosjet arbitrare, torturat, vrasjet dhe zhdukjet e personave si krime që pretendohet se janë kryer nga 69-vjeçari dhe bashkëpunëtorë të tjerë midis marsit të vitit 1998 dhe gushtit 1999, nga Kosova deri në zonën e Kukësit në Shqipërinë e Veriut.
"Në veçanti krimet kishin në shënjestër njerëz që kishin bashkëpunuar ose kishin lidhje me zyrtarë të institucioneve shtetërore të ish Jugosllavisë, ose nuk përkrahnin metodat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe personat që kishin lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të përkatësisë etnike serbe, rome e të tjera"
Krasniqi theksoi se e vetmja përgjegjësi e tij atëkohë ishte në rolin e zëdhënësit të luftës për liri nga gjenocidi serb.
"Pastaj në aktakuzë përpiqeni t’i ndani njerëzit në katolik e mysliman, unë jam shqiptar nuk jam as katolik as mysliman dhe kjo është fyese për mua. ... Me bindje e them se ketu gjindem pa të drejtë. Ndaj meje është padrejtësi e adhe. Sikur vetëm një faj të kisha nga ato që ngarkohen në atë akt akuzë do të ndihesha veten i turpëruar. Këtu jam pa të drejtë unë dua të jem në vendin tim dhe pranë familjes time. Nuk mbaj përgjegjësi për askënd që mund të ketë kryer ato vepra penale. Padrejtësia ndaj meje është tepër e madhe.
Po sot me akuzat do të njihet formalisht edhe vetë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ish-kreu i shtetit dha dorëheqjen të enjten e shkuar, ndërsa të martën dhe të mërkurën akuzat do i shqiptohen edhe dy ish-funksionarëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, që tashmë qëndrojnë të izoluar në dhomat e paraburgimit.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.