Aktakuzat, BE pret vazhdimin e dialogut, Ministri i Drejtësisë kërkoi pezullimin

Pavarësisht aktakuzave të fundit nga Gjykata Speciale, Brukseli dhe qeveria e Kosovës nuk shohin arsye pse të mos e vazhdojnë dialogun me Serbinë në zyrat e Bashkimit Europian.

Aktakuzat e fundit nga Gjykata Speciale për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe disa ish-luftëtarë të UÇK-së edhe pse kanë tronditur terrenin politik, nuk pritet ta pezullojnë dialogun Kosovë-Serbi.

Brenda koalicionit qeverisës, në radhët e opozitës dhe brenda shoqërisë civile në Prishtinë, ka dallime nëse duhet vijuar dialogu në situatën që është krijuar.

“Si ministër i Drejtësisë, por edhe si qytetar i këtij vendi i deleguar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për dialog, konsideroj se fillimisht Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë menjëherë dialogun deri në një moment tjetër. Për më shumë, Dhomat e Specializuara duke pranuar dosjet dhe dëshmitë e fabrikuara nga shërbimi sekret i Millosheviqit që u pa edhe në media dhe përderisa nuk bën të qartë që UÇK nuk është një grup i organizuar kriminal atëherë brishtësia e sigurisë nacionale e Republikës së Kosovës është e shprehur”, tha Selimi.

Por zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, theksoi për agjencinë e lajmeve "KosovaPress" se pavarësisht rrethanave të reja, bashkëbisedimi është thelbësor për përparimin drejt rrugës evropiane.

Qeveria e Kosovës po ashtu konfirmoi përmes zëdhënëses se te dialogu Prishtinë-Beograd, vendi sheh përmbushjen e interesave kombëtarë.

Mosvazhdimin e dialogut e kërkon ndërkaq deputeti i Lëvizjes opozitare "Vetëvendosje", Artan Abrashi, kur shprehet se qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti e ka komprometuar atë.

“Zotëri Hoti nuk është person kredibil për të udhëhequr një proces të tillë. Kjo për shkak të faktit se ajo që përfaqëson ai, është një qeveri jo stabile që nuk ka unitet përbrenda. Plus i mungon kredibiliteti dhe fuqia politike për të drejtuar Kosovën në një ballafaqim të rëndësishëm sikur ky i dialogut me Serbinë. Sido që të vazhdojë ky proces ne mendojmë që ai nuk guxon të drejtohet nga një person që i mungon legjitimiteti, i mungon kredibiliteti politik dhe se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë një qeveri legjitime e dalë nga një votë qytetare”, thotë ai.

Ndërsa, Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike kërkon nga pala kosovare të ketë pozicion të qartë për çështjet prioritare si njohja e ndërsjellë.

“ Serbia e ka referuar këtë duke futur asociacionin si temë kryesore dhe e dala kryesore nga ky proces që ata dëshirojnë të marrin më shumë... Qeveria e Kosovës është dashur të ketë një pozicion të atillë ku duhet të bëjë një lloj lobimi dhe presioni tek Gjermania dhe Franca ndër të tjera. Të tregohej pozicioni ynë se pa njohje reciproke ky dialog nuk mund të vazhdohet më tej.”

Gjykata Speciale të enjten konfirmoi aktakuzën për krime lufte për disa ish-anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Një ditë më parë u arrestua edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ndërsa Thaçi pritet të dalë para tribunalit ndërkombëtar ditën e hënë.

Krahas kësaj, dialogu me Serbinë ka hasur vështirësi edhe në themelimin ose jo të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.

Ndërsa pala serbe ka tentuar ta kushtëzojë vazhdimin e dialogut me këtë temë, qeveria kosovare ka insistuar që ai të zbatohet si pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë.