Akuzat për krime lufte/ Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi dalin sot para Gjykatës në Hagë

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i UÇK, Jakup Krasniqi do të jetë i pari ndër 4 ish krerët e luftës që do të dalë sot para Gjykatës Speciale në Hagë për tu njohur zyrtarisht me akt-akuzat.

Jakup Krasniqi do të jetë para trupit gjykues në orën 11:00. Ndërsa pas tij i vjen rradha ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili do të informohet për të drejtat e tij.

Thaçi është njohur me akuzën zyrtare ndaj tij dhe marrjen të pandehur që prej datës 26 Tetor, ndërsa më 5 Nëntor Prokurori Special ka firmosur urdhër-arrestet.

Sa i përket ish kreut të PDK dhe kreut të Shërbimit Informativ në UÇK, Kadri Veseli, dalja e tij para gjykatës në Hagë do të bëhet ditën e martën (10 nëntor)

Gjykata Speciale ka publikuar dhe akt-akuzat për të cilat këta figura politike akuzohen për këto krime. Sipas saj, do të hetohen për 100 vrasje të kryera gjatë luftës së Kosovës dhe Serbisë në vitet 1998-1999.

Në aktakuzën thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe 100 vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

Sipas saj, krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës e Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Në aktakuzën pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.

Në një njoftim të sajin, Gjykata Speciale ka bërë të dtur se seancat do të jenë të hapura.

“Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.”, thuhet në njoftimin e Speciales.