Ish-krerët e UÇK nesër dalin para Gjykatës, të parët në rradhë Krasniqi dhe Thaçi
Duke filluar nga nesër, ish-krerët e UÇK-së do të dalin të dëshmojnë përpara Gjykatës Speciale të Hagës.
I pari që do të dalë është ish-kryeparlamentari dhe ish zëdhënësi i UÇK Jakup Krasniqi, i cili në ora 11:00 do të jetë para trupit gjykues. Ndërsa pas tij i vjen rradha ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili do të informohet për të drejtat e tij.
Thaçi është njohur me akuzën zyrtare ndaj tij dhe marrjen të pandehur që prej datës 26 Tetor, ndërsa më 5 Nëntor Prokurori Special ka firmosur urdhër-arrestet.
Sa i përket ish kreut të PDK dhe kreut të Shërbimit Informativ në UÇK, Kadri Veseli, dalja e tij para gjykatës në Hagë do të bëhet ditën e martën (10 nëntor)
Ndërsa ish-shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, do të paraqitet para Gjykatës Speciales për herë të parë të mërkurën (11 nëntor) në orën 11:00.
“Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Në aktakuzën e ngritur nga Zyra e Prokurorit Special pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të UÇK Kanë kryer krime të shumta ndaj kundërshtarëve politikë dhe jo vetëm.