Dëmtimi në kaviljen e djathtë, ja si paraqitet gjendja e Cristiano Ronaldos
Shkelmi i Luis Albertos ishte më i dhimbshëm, por djeg më shumë goli në sekondën e fundit i Felipe Caicedo.
Cristiano Ronaldo, i cili u rikthye deciziv për Juventusin sapo la karantinën, doli i dëmtuar në minutën e 76 të ndeshjes Lazio-Juventus, duke qenë edhe autor i golit që i dha avantazhin e përkohshëm kampionëve të Italisë.
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” mori një goditje të fortë në kaviljen e djathtë duke e detyruar të lerë para kohe fushën e lojës e të frikësojë jo pak skuadrën.
Nga ekzaminimet e para, bëhet fjalë për një dëmtim joshqetësues.
Por kontrollet e rradhës, që do të tregojnë më shumë për gjendjen e tij, do të kryhen nga mjekët e Kombëtares së Portugalisë, pasi kampionët në fuqi të Evropës kanë në ditët në vijim ndeshjet e rradhës; me Andorrën (miqësore), Francën dhe Kroacinë (për Ligën e Kombeve).