Basha në Ishëm, banorët që u shkatërroi tërmeti shtëpitë po përgatiten për dimrin e dytë jashtë
Në Gjuricaj, njësia administrative Ishëm, kryetari i opozitës u ndal edhe në banesën e rrënuar nga tërmeti i 26 nëntorit, të familjes së Limon Filit.
Edhe pse ka kaluar 1 vit kjo familje jeton në një minimagazinë, pasi askush nuk i ka dhënë zgjidhje për shtëpinë e dëmtuar rëndë.
Ndonëse banesa është jashtë funksionit, institucionet i kanë thënë se përfiton vetëm 250 mijë lekë të reja.
"Më sillni një topograf që kjo shtëpi është e banueshme, nëse është nuk kam asnjë vërejtje. Jo të më japin mua për sevap 2 milion lekë."
Limon Fili, kërkon vetëm një vlerësim të drejtë për banesën, pasi, siç ai thotë, po vjen dimri i dytë dhe duhet të jetojë në një minimagazinë në kushte të mjerueshme.
"Një dimër e kemi kaluar, po vjen tjetri."
Basha u ndal edhe tek familja e Agim Muharremit, në Lalëz, familjen cila jeton ende në çadër.
"E tmerrshme për mua, kam besim se do të bëni diçka ju."
E njëjta histori përsëritet edhe në shtëpinë e Kasem Gjetës dhe Shpëtim Kurtit, në Shkafanë.
Basha: Gjithë ndihmat që i ka ndarë Europa për tërmetin dhe duhet të vijnë te ju, do të vijnë te ju.
Kryetari i Partisë Demokratike, ju premtoi banorëve se qeveria e re do të garantojë me anë të buxhetit të shtetit rindërtimin e shtëpive të tyre dhe se çdo ndihmë e ardhur për ta nga jashtë do të shkojë për nevojat e tyre.
