Buxheti 2021, Tabaku: Edi Rama tallet me shqiptarët, premton sërish shëndetësinë falas

Partia Demokratike e cilësoi një tallje me shqiptarët prezantimin në Kuvend të  projektbuxhetit për 2021.

Ish-deputetja, Jorida Tabaku, deklaroi se kryeministri Rama ricikloi edhe njëherë premtimin e pambajtur për shëndetësinë falas.

Sipas Tabakut, ai buxhet nuk është asgjë tjetër veçse mashtrim elektoral.

Tabaku: Kush ka dëgjuar sot Edi Ramën të flasë për buxhetin, me siguri do të ketë qeshur. Por në fakt, është një situatë për të qeshur e për të qarë. Pas 8 vjet dështimesh, me mjeshtërinë më të lartë të mashtrimit, Edi Rama premtoi sërish, shëndetësinë falas. Nuk ka tallje më të madhe se kjo për shqiptarët. Një kryeministër në ditët e fundit të karrierës politike, që përpiqet të kapet pas fijes së barit dhe të bëjë shqiptarët për budallenj, duke u premtuar shëndetësinë falas. Në një vit qytetarët paguajnë mbi 400 milionë euro në sistemin shëndetësor privat, sepse Edi Rama vetëm e përkeqësoi gjendjen në spitalet publike, duke i çuar paratë tek koncesionet e tij korruptive.

Buxheti 2021, do të jetë akoma më keq për shëndetësinë, për arsimin, për infrastrukturën publike, për të papunët, për ata me ndihmë ekonomike, për familjet që nuk kanë akoma një shtëpi nga tërmeti, për profesionistët, për biznesin. Ky është një buxhet që nuk mbështet rritjen ekonomike, nuk mbështet zhvillimin, por i çon paratë në pak xhepa që kanë lidhur kontot e tyre bankare me fatin e Edi Ramës në pushtet. Buxheti 2021 është lajmi i keq për çdo shqiptar që sot vuan aktet e papërgjegjshme 8 vjeçare të qeverisë së kalbur nga korrupsioni.

Fatmirësisht, ky është akti i fundit i Edi Ramës si kryeministër. Ky buxhet nuk zgjidh dhe as shtron rrugën për të kapërcyer krizën ekonomike dhe sociale të tërmetit 2019 dhe gjithashtu edhe të pandemisë. Mijëra qytetarë janë sot ende nën çadra, sheshet e rindërtimit janë projekte 3D, që nuk kanë nisur të ndërtohen, sepse prioritet për këtë qeveri nuk ishte ndërtimi i shpejtë i banesave, por vjedhja e fidanëve të rindërtimit.