Nuk ndalen gjobat për maskat, ndëshkohen 619 qytetarë

Policia ka vijuar me dorë të fortë edhe  këtë të enjte duke gjobitur 619 qytetarë për mosmbajtjen e  maskës mbrojtëse ndaj Covid.

Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 9 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.

Ndërkohë sot vendi regjistroi një tjetër rekord negativ infektimesh me Covid 19, me 421 raste të reja dhe 7 viktima në 24 orë.