Ambasadorja suedeze: Pandemia nuk i ndal protestat! Shoqëria Civile kërkon udhëzues të veçantë

Situata e pandemisë nuk duhet të përdoret për të shtypur të drejtën dhe lirinë e qytetarëve për të protestuar. Në një konferencë të mbajtur në Tiranë, ambasadorja e Suedisë tha se në çdo kohë qytetatarët duhet të kenë mundësinë të ngrenë zërin. Nga ana tjetër zv.ministrja e Shëndetësisë tha se në disa raste protestat kanë qenë burim i përhapjes së infeksionit.

Ambasadorët e huaj në Shqipëri apelojnë që organet shtetërore të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar edhe në kohë pandemie.

Ambasadorja e Suedisë në Tiranë, Elsa Hastad, tha se situata që po kalon vendi nuk i privon qytetarët nga e drejta për të ngritur zërin e tyre.

"Demokracia është kërkesa nga qytetarët për të kërkuar të drejtat në mes të pandemisë në mes të 2020 dhe demokracia kërkon të dëgjohet zëri i atyre që nuk lejohen të protestojnë."

Në një takim të mbajtur për këtë temë në Tiranë, përfaqësuesit e organizatave i kërkuan Komitetit Teknik të Ekspertëve të nxjerrë një protokoll që duhet ndjekur nga qytetarët në rastet kur ata protestojnë.

"Të tregohen të kujdesshëm për të pëpiluar ose për të pasur një manual që tregon sesi shoqëria civile mund të organizohet apo mund të realizojë protestat që janë aq shumë të rëndësishme për një demokraci."

Zëvëndësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, këmbënguli se ishin protestat ato që ndikuan në rritjen e rasteve të infektimeve të reja.

"Pas protestave që janë bërë janë rritur rastet, këtë ua them me shumë përgjegjësi."

Edhe pse Shqipëria ndodhet para zgjedhjeve të 25 prillit, ku partitë politike kanë zhvilluar tubime elektorale për efekt të fushatës, duket Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ka caktuar një protokoll të saktë.