Trafikimi i 2.6 ton marijuanë, zbulohet magazina nga ku u ngarkua droga, dy në pranga
Zbardhet tentativa e trafikimit të 2.6 ton marijuanë nga Shqipëria drejt Gjermanisë, sasi e cila u bllokua në Mal të Zi.
Përveç shoferit të kamionit që u arrestua nga policia malazeze janë arrestuar edhe shtetasit Arlind Tabaku dhe Perparim Shurdhi, banues në Lushnje.
Një person i tretë është shpallur në kërkim si bashkëpunëtor.
"Policia e Shtetit, menjëherë pas shkëmbimit të informacione paraprake me homologët malazezë, dërgoi në Malin e Zi, një grup specialistësh të Hetimit të Narkotikëve nga Departamenti i Policisë Kriminale.
Pas hetimeve të përbashkëta dhe një pune intensive hetimore të bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, duke u përfshirë disa Drejtori Vendore, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje, identifikimi dhe lokalizimi i dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e sasisë së marijuanës të kapur në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit (Bozhaj).
Si rezultat i punës së mirorganizuar, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me DVP Fier, u bë kapja dhe ndalimi për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, i shtetasve:A. T., 36 vjeç dhe P. Sh., 41 vjeç, banues në Lushnjë, si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër" njoftoi policia.
Nga veprimet e para rezultoi se kamioni me drejtues shtetasin Elvis Çalik ishte ngarkuar në magazinën në pronësi të shtetasit Perparim Shurdhi i ndihmuar nga shtetasi Arlind Tabaku dhe personi i shpallur në kërkim.
Kamioni është ngarkuar fillimisht në Greqi me fruta-perime dhe më pas është përshtatur dhe ngarkuar lënda narkotike në Lushnje për të vijuar rrugën drejt Shkodrës ku kanë kaluar pa u pikasur në skaner në doganën e Hanit të Hotit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar prova të shumta që do të çojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë me prova ligjore të kësaj veprimtarie kriminale.
Ndërkohë 40-vjeçarit shqiptar Elvis Çaliku, i cili është shoferi i kamionit ku u gjet droga, i është caktuar masa e sigurisë arrest me burg deri në 30 ditë për dyshimin e përpjekjes për të kontrabanduar 2.6 ton marijuanë. Ai akuzohet për prodhim, mbajtje dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve.
Masa e sigurisë është dhënë pas të dhënave që janë dhënë dhe nga pala shqiptare pasi arrestoi dy bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri.
Vijon puna intensive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe homologët, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
LEXO EDHE: Kamioni me 2.6 ton marijuanë kishte destinacion Gjermaninë
Kamioni me 2 ton marijuanë hyri në Shqipëri tranzit nga Kapshtica, ishte ngarkuar me fruta në Greqi
Ishte nisur drejt BE, si iu nderpre rruga kamionit shqiptar me 2 ton marijuanë