Vit elektoral/ Kuvendi miraton në parim buxhetin 2021, Rama: Rindërtim, rritje pagash dhe heqje akcize për fermerët

Buxheti i 2021, i cili korrespondon me vitin elektoral, sipas qeverisë, do të fokusohet te rimëkëmbja e ekonomisë. Menaxhimi i pandemisë dhe rindërimi do të jenë objektivat kryesore të ekzekutivit, por nga Parlamenti nuk munguan as premtimet elektorale të kryeministrit Rama për mandatin e tretë. Madje duke vijuar edhe sulmin ndaj opozitës së bashkuar.

Projektbuxheti i vitit elektoral 2021 me një vlerë prej 479 mld lekë, i sjellë në parlament nga qeveria ka në fokus ringritjen ekonomike, rindërtimin dhe menaxhimin e Covid 19.

Edhe pse situata e pandemisë nuk dihet se si do të shkojë, ekzekutivi shqiptar pretendon që në vitin e ardhshëm të ketë një rritje ekonomike.

Denaj: Presim një rritje 5.5%.

Rama: Ne na duhet të financojmë rindërtimin, 40% rritja e pagave për mjekët dhe infermierët. Për të gjithë bluzat e bardha të Republikës së Shqipërisë, edhe rritja e pagës për mësuesit. Taksa zero për biznesin e vogël. Karburanti për bujqësinë nuk do të ketë më asnjë ngarkesë fiskale.

Kryemistri shqiptar me buxhetin e tij elektoral premtoi nga Kuvendi se me mandatin e tretë do të bënte atë që nuk bëri dot për 8 vite.

Rama: Nuk i kemi bërë të tëra ato që kemi thënë por kjo nuk do të thotë që nuk do ti bëjmë.

Por në parlament, ndryshe nga vitet e tjera u vu re mungesa e debatit nga ana e deputetëve të opozitës, të cilët më shumë të shqetësuar ishin për minutazhin e kohës për të dalë në foltore.

Nga ana e Edi Ramës nuk ka munguar as thumbimi i opozitës së bashkaur, tashmë një strategji që mesa duket do ta përcjellin deri në 25 prill.

Rama: Të votojnë për Lulin dhe të marrin pëshqesh Ilir Metën bashkë me Monikën se Saliu nuk diskutohet që është në barkun e Lulit jo si lepur por si luan që udhëheq lepurin në luftë.

Edhe pse deputetët e pakicës në parlament nuk folën për buxhetin e 2021, ata nuk i shpëtuan batutave të liderit të mazhorancës.

Rama: Ju opozita këtu dhe opozita atje bashkohuni që të hiqet tabela e shumëzimit, jeni tapë-topi, tapa është jashtë, topi është këtu.

Dëshirën e madhe për një mandat të tretë, Rama nuk e fsheh as në foltoren e parlamentit.

Rama: Mit'hat Frashëri do ta kishte bërë me kohë aleancën me mua pa asnjë problem.

Në fund të seancës, Kuvendi miratoi  në parim me 87 vota pro dhe 9 kundër projekbuxhetin 2021.