Rama nga foltorja: Shkallmuam korporatën e gjyqtarëve dhe prokurorëve që lëshonin certifikata virgjërie

Kryeministri, Edi Rama, e reklamoi edhe njëherë reformën në drejtësi si një nga sukseset më të mëdha të qeverisë së tij.

Duke folur nga Kuvendi, Rama tha se çmontuan korporatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që deri dje nuk i prekte një fije bari dhe që lëshonin certifikata virgjërie për politikanët e korruptuar.

Rama: Te drejtësia më tregoni pak se çfarë bëtë ju. Pikërisht se nuk jemi njësoj kemi udhëhequr reformën në drejtësi. Ilir Meta pasi thoshte se flota e 7 amerikane të më vijë te vila në Lalëz unë nuk dorëzohem, erdhi këtu. Flota nuk erdhi fare. Bashkë me Saliun, se ju nuk keni qenë këtu prisnit bingon, bënë votimin më spektakolar që më kanë parë sytë.

Natyrisht që drejtësia të vijë në pikën që të bëjë drejtësi në të gjithë nivelet do të kërkojë kohën e  vet. Ju doni që gjërat që nuk u bënë në 100 vjet të na i faturoni ne sot. Si mund tu shkonte në mend që korporata e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e prekte njeri me fije bari do të shkallmohej dhe do të përfundonte rrugëve.Korporata që jepte certifikata virgjërie për të gjithë politikanët që përfundonin para akuzave.Dilnin nga gjykata më të pastër se ç'kishin hyrë.