BOOM - Ahmetaj premtoi rindërtimin e Kombinatit, banorët: Ende asgjë, na kanë braktisur Rama e Veliaj
BOOM - Ahmetaj tha se do hidheshin themelet në Kombinat deri në 30 tetor, ende asgjë për banesat e dëmtuara nga tërmeti
Më 24 shtator ministri i Rindërtimit, zoti Arben Ahmetaj i ftuar në emisionin “Real Story”, dha afate se kur do të niste hedhja e themeleve për pallatet e reja në këtë zonë.
Ahmetaj: Në fund të tetorit fillon Kombinati. Ua them qytetarëve të Tiranës që në datën 10-15 tetor maksimumi, fillojnë themelet e pallateve tek “5 maji” dhe midis 25 dhe 30 tetorit fillojnë themelet në Kombinat. Nga data e nesërme deri në datën 10 do fillojë prishja dhe pastrimi i inerteve tek ‘5 maji’ dhe 10 ditë më pas në Kombinat. Nuk do ketë shpërngulje.
BOOM shkoi për të parë në Kombinat se çfarë kishe ndodhur dhe se a kishte filluar hedhja e themeleve, ajo që pamë, ishte se ende nuk kishte ndodhur asgjë me pallatet e dëmtuara, e aq më pak hedhja e themeleve.
Teksa grupi i xhirimit ishte tek pallatet në Kombinat, banorë të këtyre pallateve shumë të revoltuar jashtë kamerave shprehin pasigurinë se çfarë do ndodh me shtëpinë e tyre.
Një banore e pallatit nr. 160 thotë duke hyrë në pallat se “kështu e ka lënë Erion Veliaj dhe Edi Rama”.
Banorët thonë se nuk kanë asnjë informacion dhe se kanë frikë mos shpërngulen nga banesat e tyre.
Banorët: Nuk është vendosur asgjë. Këtë e kanë lënë Veliaj dhe Rama për t'u prishur. Nuk kanë vendosur asgjë. Ne ngelëm përditë në bashkisë, na thonë të presim. Kemi formularët që të prishen dhe t'i bëjmë në vend. Ne jemi në ajër kështu.
Në pallatet e dëmtuara ka ende banorë që jetojnë aty edhe pse ata marrin bonus qiraje.
Sipas tyre, nuk mund ta lënë shtëpinë edhe pse paguajnë qira diku tjetër.
Banori: Unë fle këtu se nuk po gjej dot një garsoniere. Jemi për prishje. Mua më vdiq goca këtu, më ka toleruar bashkia. Po të ndodhë le të ndodhë.
Banori: Kemi marrë një garsoniere me qira, por më shumë rrimë këtu se kemi rrobat.
Në pallatet e dëmtuara BOOM pa fëmijë të vegjël që luanin pranë.
Ata treguan se në ambientet e pallateve hyjnë e dalin njerëz madje edhe përdorues droge.
Pranë pallateve të dëmtuara luajnë fëmijë duke qenë shumë e rrezikshme për ta.
Jo vetëm kaq, por edhe një person jetonte në një hyrje të pallatit.