Protesta e studentëve, Stefa: Nëse bien pre e makinacioneve politike dhe interesave të çastit nuk do marrin kurrë zgjidhje

Studentët protestuan sot para Ministrisë së Arsimit kundër mësimit online duke kërkuar rikthimin në auditore.

Protesta e të hënës u mbyll me paralajmërimin e vazhdimisë së tyre çdo ditë 10-13:00 deri në plotësimin e kërkesa që parashtruan.

Eksperti i arsimit, Ardi Stefa, thotë se studentët janë në të drejtën e tyre për të protestuar por nisur nga precedenti i dy viteve më parë, ai ka një këshillë për ta.

Stefa: Studentët kanë shumë të drejtë që të protestojnë, të kërkojnë që të mos luhet me të ardhmen e tyre. Protestat e tyre do të konsiderohen të paligjshme sepse është periudhë pandemie. Kam besimin që nëse studentet do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre me ngulm dhe të mos tërhiqen si para dy viteve ka shumë mundësi të marrin një përgjigje. Në të kundërt, nëse do të përçahen, nëse do të bëhen pre e makinacioneve politike apo interesave të çastit as që kanë për të marrë ndonjëherë ndonjë përgjigje të kërkesave të tyre.

Si ish-student i dhjetorit '90, Stefa thotë për Ora News se protestë e tillë nuk do të mund të zhvillohet më, por nëse kemi protestë si ajo e dy viteve më parë ai thotë që më mirë të mos dalin fare.

Stefa: Unë jam student i dhjetorit '90 dhe protesta si ato nuk ka për të pasur më. Nëse do të kemi protesta si ajo e dhjetorit të para dy viteve më mirë mos të kemi sepse u la në mes, studentët u gënjyen, iu rikthyen shkollës dhe asnjë premtim nuk u mbajt.

Intervista në studio me gazetaren Siklajda Shorja, përgatiti për online Besjana Kuçana